Edi Rama ka deklaruar se në platformën e re publike “Flamingo Mirror” do të publikohen së shpejti edhe dosjet qeveritare për KAYO dhe projektin Milot-Balldren.
Gjatë prezantimit të platformës, Rama tha se, sipas tij platforma do të shërbejë për të vendosur në dispozicion të publikut dokumentet dhe faktet zyrtare.
Sipas Ramës, platforma do të përfshijë edhe mundësinë për të ndjekur në kohë reale projektet publike të financuara nga taksat e qytetarëve, si dhe një komponent me pyetje dhe përgjigje zyrtare.
“Shumë shpejt do të publikojmë dosjen qeveritare të KAYO, një tjetër emër që përflitet në rrugët e kanaleve sociale dhe në hapësirat e medias televizive. Po ashtu, Milot-Balldreni ka qenë temë me trillime dhe gjysmë të vërteta, ku faktet në të gjitha këto raste janë vendosur në presion të madh të një bote që varet gjithnjë e më shumë në atë çfarë thuhet dhe jo çfarë faktohet dhe verifikohet. Pjesë e Pasqyrë Albania do të jetë edhe mundësia për të ndjekur në kohë reale çdo projekt publik të financiar nga taksat e qytetarëve. Po ashtu, në pasqyrën e Flamingos ka edhe një komponent me pyetje dhe përgjigje zyrtare.
Është shumë e rëndësishme të thuhet se në Pasqyrën e Flamingos nuk ka retorikë, deklarata politike, përgënjeshtrime, ka vetëm gjuhë faktesh të mbështetur në referenca ligjore, dokumente zyrtare dhe është një hapje si të thuash e bibliotekës së fshehtë të pushtetit ekzekutiv. Është në zhvillim e sipër. Edhe dosja e sotme është në zhvillim e sipër, sepse në të do të shtohen edhe dokumentet që do të vijnë në vazhdim. Do t’i shtohen projekti urbanistik, studimi për ndikimin në mjedis dhe gjithçka tjetër që mungon. Për këtë arsye dosja është e hapur. Kur dosja mbyllet, aty ka edhe një status që thotë: Dosje e mbyllur”, tha Rama.













