BOTA, 3 October 2026, 14:16

Tensionet rriten në Kore/ Pheniani lëshon raketë balistike pas kërkesës së Seulit për ndjesë

Tensionet rriten në Kore/ Pheniani lëshon raketë balistike pas

Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike drejt Detit Lindor, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut, vetëm pak ditë pasi Seuli kërkoi ndjesë për një shpërthim në Zonën e Çmilitarizuar (DMZ), ku u plagosën tre ushtarë koreano-jugorë.

Sipas Shefave të Shtabeve të Përbashkëta, raketa u lëshua nga zona e Wonsanit dhe përshkoi më shumë se 700 kilometra.

Koreja e Veriut ka mohuar përgjegjësinë për shpërthimin e muajit të kaluar dhe e cilësoi dje Korenë e Jugut si “të neveritshme”.

Seuli dhe Komanda e Kombeve të Bashkuara e udhëhequr nga SHBA-ja kanë deklaruar se shpërthimi në DMZ u shkaktua nga mina të vendosura nga Koreja e Veriut në anën jugore të kufirit.

Sipas ministrit koreanojugor të Mbrojtjes, Kang Shin-chul, minat besohet se janë vendosur në kuadër të përpjekjeve të Phenianit për forcimin e kufirit.

Koreja e Veriut ka vendosur gjithashtu mina dhe ka ndërtuar barriera antitank përgjatë kufirit, ndërsa lideri Kim Jong Un e ka cilësuar Korenë e Jugut si “armikun kryesor” të vendit.

Presidenti koreanojugor Lee Jae Myung i kërkoi të enjten Phenianit të rikthehej në dialog, pavarësisht kërkesës së ushtrisë së tij për një ndjesë.

Por Kim Yo Jong, motra e liderit Kim Jong Un, e hodhi poshtë propozimin dhe e quajti atë një “ëndërr të çmendur”, ndërsa kërkesën për ndjesë e cilësoi si “qesharake”.

Lëshimi i raketës është interpretuar nga analistët si një demonstrim force dhe si përgjigje ndaj përpjekjeve diplomatike të Seulit.

“Seuli bëri thirrje për uljen e tensioneve, por Pheniani u përgjigj duke i përshkallëzuar ato”, tha Yang Moo-jin, ish-president i Universitetit të Studimeve të Koresë së Veriut.

Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut ka paralajmëruar se ushtria ka në dispozicion një sërë masash për t’iu përgjigjur incidentit në kufi.

Ndërkohë, ministri i Unifikimit, Chung Dong-young, ka propozuar bisedime me Phenianin për çështjet përgjatë kufirit, por propozimi është refuzuar nga Kim Yo Jong.

Përshkallëzimi vjen në një moment të ndjeshëm, pasi përpjekjet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për t’iu afruar Phenianit kanë ngritur shqetësime në Seul se Koreja e Jugut mund të lihet jashtë bisedimeve të mundshme për programin bërthamor të Veriut.

Opozita koreano-jugore ka kritikuar gjithashtu presidentin Lee, duke e akuzuar se nuk ka reaguar mjaftueshëm ashpër ndaj Phenianit pas plagosjes së ushtarëve.