Kryeministri Edi Rama ka prezantuar “Flamingo Mirror”, një platformë publike online përmes së cilës qytetarët do të mund të aksesojnë dokumente, të dhëna dhe informacione mbi çështje dhe projekte me interes publik.
Dosja e parë e publikuar në platformë lidhet me projektin për Sazanin dhe Zvërnecin. Sipas Ramës, aty do të vendosen dokumentet dhe informacionet që lidhen me projektin, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi t’i konsultojnë drejtpërdrejt.
“E kemi quajtur ‘Flamingo Mirror’. Është në të dyja gjuhët. Patjetër që nuk mund të mos niste me dosjen më tërheqëse të Republikës së Shqipërisë, me dosjen e Sazanit-Zvërnecit”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se platforma do të shërbejë si një burim informacioni për qytetarët, duke theksuar se synimi është që të publikohen dosje qeveritare që lidhen me çështje me ndjeshmëri të veçantë.
“Do të vendosim çdo dosje qeveritare me një ndjeshmëri të posaçme”, deklaroi ai, duke shtuar se qytetarët do të mund të shohin dokumentet dhe të dhënat që lidhen me këto çështje.
“Flamingo Mirror” është pjesë e platformës “Pasqyrë Albania” dhe, sipas Ramës, nuk do të kufizohet vetëm te publikimi i dokumenteve. Platforma pritet të shërbejë edhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve dhe për të plotësuar informacionin kur të dhënat për një çështje të caktuar nuk janë të disponueshme.
Rama ka deklaruar gjithashtu se në platformë do të publikohen edhe dosje të tjera që lidhen me çështje dhe projekte me interes të veçantë publik, ndërsa ka paralajmëruar se së shpejti do të publikohet edhe “dosja” e Kayo.


