Endri Çekiçi gjen ekip të ri, ish-lojtari i Kombëtares transferohet në Azerbajxhan

Endri Çekiçi gjen ekip të ri, ish-lojtari i Kombëtares transferohet në Azerbajxhan

14:17, 03/10/2026

Endri Çekiçi do të vijojë karrierën jashtë Shqipërisë. Mesfushori 29-vjeçar ka zyrtarizuar skuadrën e tij të re, duke u transferuar te Gabala në Azerbajxhan.

Klubi azerbajxhanas ka njoftuar më 3 tetor afrimin e futbollistit shqiptar, me Çekiçin që ka firmosur kontratë deri në përfundim të sezonit 2026-2027.

Ky është një tjetër kapitull ndërkombëtar për mesfushorin ofensiv, i cili nuk zgjodhi rikthimin në futbollin shqiptar. Azerbajxhani përbën një destinacion të ri për të, pasi më parë ka luajtur në kampionate si ai i Irakut, Algjerisë, Turqisë, Sllovenisë dhe Kroacisë.

Gjatë karrierës së tij, Çekiçi ka veshur fanellat e Dinamos së Zagrebit, Olimpija Ljubljanës, Ankaragucu, Konyasporit, Pendiksporit dhe Adanasporit. Para transferimit te Gabala, ai ishte pjesë e skuadrës irakiane Zakho.

Çekiçi ka qenë gjithashtu pjesë e Kombëtares shqiptare. Mesfushori ka zhvilluar 11 paraqitje me kuqezinjtë, ndërsa ka arritur të shënojë edhe një gol me fanellën e Shqipërisë.

Tashmë, ai do të provojë një aventurë të re në Azerbajxhan, me objektivin për të lënë gjurmë te Gabala.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco