Aleatët e PD kritikojnë Berishën, mblidhet federata e opozitës, kërkohet protestë për territorialen

Aleatët e Partisë Demokratike ishin të pakënaqur me mënyrën se si partia më e madhe opozitare ka trajtuar diskutimet në Kuvend për Reformën Territoriale.
Ishte vetë kryedemokrati Sali Berisha, i cili thërriti në selinë blu krerët e partive te vogla, por u përball me kritika sepse sipas tyre opozita nuk po tregohet efektive.
“Ato dëgjesat dukeshin si muaj mjalti mes opozitës dhe mazhorancës. Nuk patëm informacion si parti aleate, as morëm pjesë në dëgjesa, nuk dinim fare. Duhet bashkëpunim institucional që edhe të na informoni, ne kemi qenë në terr informativ”, tha Nard Ndoka, kryetar i Partisë Demokristiane.
“Për interesin e opozitës është që kjo tryezë të funksionojë në mënyrë periodike. Ka nevojë për një ripërtëritje jo vetëm të PD-së, por të gjithë koalicionit”, tha Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane.
Madje aleatet kërkuan edhe protesta.
“Opozita duhet t’u prijë protestave dhe seanca e thirrur të enjten është një mundësi që të gjithë shqiptarët, jo vetëm banorët e 15 bashkive, të mblidhen atë ditë para Kuvendit të Shqipërisë, për t’i treguar këtij kryeministri se zot në Republikën e Shqipërisë janë vetëm shqiptarët. Duhet të dalim me një thirrje drejtuar shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e familjeve të tyre”, tha Tedi Blushi, kryetar i grupit të Partisë së Lirisë.
Megjithatë, Berisha u shfajësua me pretendimin se mazhoranca rrëzon me forcën e kartonit, çdo kërkesë të te djathtëve.
“Ja tani do mblidhemi si grup parlamentar ne, çfarë do bëjmë ne? Ai nuk pranon mocionet, që janë një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutë. As për KAYO-n, as për SHISH-in. Del bandë ajo dhe opozita nuk ka të drejtë të thërrasë mocion debati”, tha Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike.
Ndërkohë, ndonëse Berisha e mbështeti versionin për një protest kombëtare më 8 tetor, ditë kjo kur pritet të votohet në kuvend drafti i socialistëve, aleatë të tjerë u treguan skeptikë, pasi sipas tyre një tubim nuk mund të thërritet pa një skenar të qartë.




