Punimet për rehabilitimin e rezervuarit të Kasharajt në Lushnje vijojnë prej katër ditësh, por ende nuk është arritur të rikthehet në funksion tubi kryesor që shkarkon ujin. Specialistët e Bordit të Kullimit kanë ndërhyrë në sistemin e shkarkimit, por puna është vështirësuar pasi tubacioni është bllokuar nga dherat dhe balta pas boshatisjes së rezervuarit.
Fillimisht, specialistët vendosën një saraçineskë të re në pikën e daljes së ujit. Më pas, me agregatët e “Albpetrol”, u hodh ujë me presion për të zhbllokuar tubacionin, por ky i fundit nuk e përballoi presionin në pjesën fundore të digës. Për këtë arsye pritet që në terren të angazhohen specialistë të tjerë për të gjetur një zgjidhje.
Sipas inxhinierëve, të cilët kanë folur jashtë kamerave, shkarkuesi është bllokuar nga dherat që kanë mbuluar veprën e marrjes së ujit dhe tubacionin, i cili është rreth 180 metra i gjatë.
Ndërkohë, vijon edhe largimi i peshqve të ngordhur nga shtrati i rezervuarit. Me mjete të ushtrisë, peshqit po transportohen drejt fshatit Pluk, ku po groposen në një tokë publike, larg zonave të banuara. Deri mëngjesin e 3 tetorit është larguar pothuajse gjysma e peshqve.
Si u krijua situata në Kasharaj?
Alarmi për situatën në rezervuar u dha më 29 shtator, kur niveli i ujit ishte ulur ndjeshëm dhe në sipërfaqe u shfaqën tonelata me peshq të ngordhur. Banorët hynë në llucë për të nxjerrë peshqit që ende lëviznin në ujërat e cekëta.
Një ditë më pas, më 30 shtator, në terren mbërritën forcat e ushtrisë, punonjës të bashkisë dhe specialistë të Bordit të Kullimit. Nisën punimet për largimin e peshqve dhe zhbllokimin e shkarkuesit, i cili tashmë ishte mbushur me baltë.
Për situatën ka nisur edhe një hetim nga Prokuroria e Fierit, me qëllim përcaktimin e përgjegjësive për urdhrin që çoi në zbrazjen e rezervuarit dhe pasojat e krijuara. Në kuadër të hetimit është administratori i kompanisë “Fled”, Ferdinand Marra, e cila ishte kontraktuar nga Bashkia e Lushnjes për riparimin e shkarkuesit të digës.
Kontrata, me vlerë 32.9 milionë lekë, ishte lidhur në vitin 2025, ndërsa punimet ishin ndërprerë në shkurt të këtij viti për shkaqe që, sipas materialit, ende nuk janë bërë të qarta.
Sipas Bashkisë së Lushnjes, kompania ishte rikthyer në terren në shtator dhe kishte nisur boshatisjen e rezervuarit pa njoftim. Administratori, i cili hetohet në gjendje të lirë, i mohon akuzat dhe deklaron se në këtë periudhë nuk po kryente punime dhe se nuk kishte dijeni për praninë e peshqve në rezervuar.
Hetimi pritet të përcaktojë përgjegjësitë lidhur me situatën, si për kompaninë private, ashtu edhe për institucionet që kanë pasur rol në investimin dhe administrimin e veprës ujëmbledhëse.
Kasharaj është rezervuari i dytë më i madh në zonën e Myzeqesë. I ndërtuar në vitin 1985, ai ka një sipërfaqe ujore prej 190 hektarësh dhe kapacitet rreth 11 milionë metra kub ujë. Rezervuari është ndërtuar për ujitjen e tokave bujqësore.
Për vite me radhë, ai është shfrytëzuar për peshkim nga një subjekt privat, i cili hidhte rasat në rezervuar dhe më pas tregtonte peshkun. Licenca e subjektit është hequr prej katër vitesh, ndërsa peshqit e mbetur në rezervuar janë lënë në gjendje të lirë.
Sipas vlerësimeve paraprake, në rezervuar kanë ngordhur mbi 300 tonë peshq. Sasia e humbur, sipas vlerësimeve të cituara, do të kërkonte vite për t’u rikuperuar në kushtet natyrore të rezervua


