Prej 3 ditësh, Peqini dhe Lezha janë përfshirë nga zjarre masive që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Zjarret në Peqin vijojnë me intensitet të lartë, teksa situata vijon të mbetet e rënduar edhe këtë të shtunë me vatra aktive në të dyja njësitë administrative, Përparim dhe Pajovë. Ndërkohë, në Lezhë, në zonën e Rrilës, zjarri është përhapur në një sipërfaqe të gjerë, teksa banorët kanë akuzuar zjarrfikësen se ka vepruar me vonesë dhe, në momentin e ndërhyrjes, nuk ka pasur as ujë.
Zjarret në Peqin vijojnë me intensitet të lartë, teksa situata vijon të mbetet e rënduar edhe këtë të shtunë me vatra aktive në të dyja njësitë administrative, Përparim dhe Pajovë. Sipas informacionit zyrtar të përcjellë nga Zyra e Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Elbasanit, intensiteti i flakëve ndryshon në varësi të drejtimit dhe forcës së erës, duke e bërë ndërhyrjen në terren veçanërisht të vështirë.
Pavarësisht episodeve me flakë të larta që janë evidentuar edhe gjatë orëve të fundit, deri tani nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat. Bilanci i deritanishëm përfshin vetëm një banesë të vjetër dhe të pabanuar, e cila është përfshirë nga flakët gjatë pasdites së djeshme.
Një zjarr i rënë që prej orëve të mëngjesit të kësaj të shtune në zonën e Myltes, në Rrilë, është përhapur në një sipërfaqe të gjerë. Flakët janë shtrirë drejt zonës së GrykLumit, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e zjarrit. Flakët kanë përfshirë ferra dhe shkurre nëpër sipërfaqet bujqësore.
Banorët kanë deklaruar se situata është serioze, teksa kanë denoncuar vonesë në ndërhyrjen e zjarrfikësve. Ata deklaruan se edhe pasi kanë mbërritur në vendngjarje, zjarrfikëset nuk kanë pasur ujë.
Zjarret në Peqin dhe Lezhë vazhdojnë prej 3 ditësh, teksa banorët e zonave të prekura pretendojnë se këto zjarre janë të qëllimshëm.
© SYRI.net