
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, ka mbledhur Asamblenë e Zgjeruar të PS-së në Kavajë, ku ka nisur puna për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të pranverës 2027.
Në fokus të diskutimeve ishte nevoja për një drejtim të ri të Bashkisë Kavajë, me prioritet përmirësimin e shërbimeve publike, investimet në infrastrukturë, arsim dhe sport, si dhe zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit.
Balla kërkoi gjithashtu transparencë në përdorimin e fondeve dhe pronave publike, duke deklaruar se duhet të hetohen dhe bëhen transparente ato që ai i cilësoi si abuzime në administrimin e bashkisë.
Sipas tij, në javët e ardhshme do të nisë procesi për përzgjedhjen e kandidatit të PS-së për kryetar të Bashkisë Kavajë dhe kandidatëve për këshillin bashkiak.
“Qytetari i parë i Kavajës duhet të jetë çdo ditë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Balla.
Ndërkohë, në krah të Ballës në takim ishte edhe nënprefektja e Tiranës, e cila përflitet si një prej emrave të mundshëm për kandidaturën e PS-së në Kavajë. Një tjetër emër i përmendur është drejtori i spitalit, Arben Rrugie. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për kandidaturat. (A2 Televizion)