Detaje tronditëse janë zbuluar nga dosja hetimore për vdekjen e Xhuana Nikollajt, ku janë administruar dëshmi dhe komunikime që hedhin dritë mbi situatën e krijuar në ditët dhe orët para ngjarjes.
Sipas dosjes së siguruar nga gazetarja e Top Channel Brixhilda Deda, hetuesit kanë marrë dëshminë e një prej mikeshave me të cilën Xhuana ndante banesën me qira. Po ashtu, janë administruar dhe analizuar komunikimet e saj me motrën, të zhvilluara pak para ngjarjes.
Nga këto komunikime, sipas dosjes, Xhuana i kishte treguar motrës për situatën dhe shqetësimet që po përjetonte. Motra e kishte këshilluar të drejtohej në polici dhe të denonconte Eraldo Fizin për dhunën e pretenduar.
Por Xhuana kishte refuzuar, duke shprehur frikën se një denoncim mund të sillte pasoja për babain e saj. Sipas komunikimeve të administruara nga hetuesit, ajo kishte frikë se Fizi mund t’i bënte diçka të keqe të atit.
Një tjetër element i përfshirë në dosje lidhet me mbrëmjen para ngjarjes. Sipas të dhënave të administruara, konflikti dyshohet se lidhej me një ekskursion pune ku Xhuana kishte marrë pjesë gjatë festave të 7 dhe 8 Marsit.
Në dosje thuhet gjithashtu se po verifikohet dyshimi se Eraldo Fizi e kishte ndjekur Xhuanën pas ekskursionit.
Dëshmitë e dhëna nga motrat e Xhuanës përshkruajnë gjithashtu debate të herëpashershme mes saj dhe Fiziut. Sipas dëshmive, ai i dërgonte Xhuanës video dhe i bënte presion emocional, duke i thënë se mund të lëndonte veten për shkak të ndarjes.
Motra e saj ka deklaruar gjithashtu se Fizi e kërcënonte duke përmendur babain e Xhuanës, për të cilin, sipas dëshmisë, ai e dinte se ishte pika e saj më e dobët.
Po sipas dëshmive të administruara në dosje, ai e kishte kërcënuar gjithashtu se do t’i tregonte babait të saj se kishte qenë ai që e kishte dhunuar Xhuanën një natë më parë.
Të gjitha këto dëshmi, komunikime dhe të dhëna po analizohen nga grupi hetimor për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjeve që i paraprinë vdekjes së Xhuana Nikollajt.
Ndërkohë, vijojnë hetimet edhe për mënyrën se si e reja kishte siguruar substancën që dyshohet se përdori në aktin fatal.


