SYRI TV/ 'Skandali Kayo', Ministria e Mbrojtjes sfidon SPAK, pagesë 900 mijë euro ditën që nisi hetimi penal

15:10, 03/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ministria e Mbrojtjes ka sfiduar hapur Prokurorinë e Posaçme SPAK për skandalin “Kayo”. Në 9 shtator, në ditën kur prokurorët njoftuan se kanë nisur hetim për pagesat ndaj kompanisë së lidhur me mikun e kryeministrit, Ron Yeffet, Ministria e Mbrojtjes ka dorëzuar në llogaritë e saj plot 900 mijë euro.

Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se Reparti Ushtarak 4001, i njohur ndryshe si Komanda Mbështetëse, në varësinë e ministrit Ermal Nufi, ka kaluar në llogaritë e kompanisë publike Kayo shumën 88.4 milionë lekë të reja, me përshkrimin “blerje automjetesh të reja”, sipas një marrëveshjeje të datës 28 gusht 2026.

Kjo transfertë është kryer saktësisht pak orë pasi Prokuroria e Posaçme deklaroi publikisht se kishte hapur një hetim penal kryesisht për atë që konsiderohet “afera Kayo”. SPAK-u mori iniciativën për këtë hetim, bazuar në deklaratat e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, të dhëna për emisionin “Çim Peka Live” në “Syri TV”, më 7 shtator të këtij viti.

Ahmetaj deklaroi se “Kayo” dhe bashkëpunëtori i saj, kompania “Timak Defence”, me ortak Ron Yeffet, kanë përfituar miliona euro nga qeveria për shërbime dhe furnizime që nuk i kanë kryer.

Gjithashtu, Arben Ahmetaj publikoi edhe disa audio-regjistrime, në të cilat miku i Ramës, Ron Yeffet, fliste me personazhe të tjerë për të realizuar trafik armësh nga Shqipëria drejt vendeve të tjera.

Dëshmitë e përcjella nga ish-zv.kryeministri ishin shumë të rënda dhe Prokuroria e Posaçme thotë se ka nisur hetimin për të verifikuar të gjithë situatën që lidhet me veprimtarinë e kompanisë publike të prodhimit të armëve, Kayo.

Në kuadër të këtij hetimi, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kryen këtë fundjavë kontrolle fizike dhe banese të sipërmarrësit Ron Yeffet, të drejtorit të Kayo, Ard Veliu, si edhe është sekuestruar dokumentacion në Ministrinë e Mbrojtjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco