Chia pudding është një nga alternativat e njohura për një mëngjes të shëndetshëm dhe të pasur me fibra. Një porcion standard përmban më shumë se 9 gramë fibra, ndërsa marrja e rekomanduar ditore për të rriturit është rreth 25 deri në 35 gramë. Për të rritur edhe më shumë sasinë e fibrave, në chia pudding mund të shtohen disa përbërës të thjeshtë, të cilët përveç vlerave ushqyese i japin edhe më shumë shije.
Kivi
Kivi është një nga frutat që mund ta pasurojë chia pudding-un me fibra dhe vitaminë C. Dy kivi përmbajnë rreth 6 gramë fibra. Fruti mund të shtohet i prerë në feta dhe, nëse preferohet, edhe me lëkurë.
Farat e kungullit
Farat e kungullit janë një tjetër alternativë e mirë. Rreth 30 gramë përmbajnë 5.2 gramë fibra dhe ofrojnë gjithashtu minerale si magnez, zink dhe fosfor. Ato mund të spërkaten sipër pudding-ut ose të përzihen drejtpërdrejt me të.
Hurmat
Për ata që preferojnë një shije më të ëmbël, hurmat mund të jenë një zgjedhje praktike. Gjysmë filxhani hurma përmban rreth 4 gramë fibra dhe mund të përdoret si ëmbëlsues natyral, duke reduktuar nevojën për mjaltë ose shurup panje.
Cocoa nibs
Copëzat e kakaos, të njohura si cocoa nibs, i japin chia pudding-ut një shije intensive çokollate dhe një teksturë krokante. Një porcion prej 28 gramësh përmban rreth 4 gramë fibra dhe gjithashtu përmban përbërës antioksidues.
Karotat
Edhe karotat mund të kombinohen me chia pudding. Një filxhan karota përmban rreth 4 gramë fibra dhe është burim i beta-karotenit, të cilin trupi e shndërron në vitaminë A. Karotat mund të grihen dhe të përzihen me pudding-un ose të bluhen së bashku me qumështin dhe erëzat.
Avokado
Gjysmë avokadoje mesatare përmban rreth 4.6 gramë fibra. E shtuar në chia pudding, avokadoja mund ta bëjë përzierjen më kremoze dhe më të trashë, ndërsa njëkohësisht shton yndyra të shëndetshme.
Tërshëra
Tërshëra është një tjetër mënyrë për të shtuar fibra dhe drithëra të plota. Një filxhan tërshërë përmban rreth 8 gramë fibra dhe mund ta bëjë chia pudding-un më të ngjashëm me overnight oats. Megjithatë, rritja e fibrave duhet të bëhet gradualisht. Konsumimi i një sasie të madhe fibrash në një kohë të shkurtër mund të shkaktojë fryrje, ngërçe ose shqetësime të tjera të tretjes. Për këtë arsye, këshillohet që përbërësit e rinj të shtohen një ose dy në të njëjtën kohë dhe të konsumohet mjaftueshëm ujë.