Kombëtarja po luan në Helsinki ndaj Finlandës, në ndeshjen e vlefshme për raundin e tretë të Ligës së Kombeve, në Grupin C1.
Sfida e nisur në orën 15:00 ka marrë një rrjedhë tjetër pasi kuqezinjtë kanë mbetur me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të portierit Etrit Berisha në minutën e 22-të. Berisha është ndëshkuar me karton të kuq pas daljes nga zona e rreptësisë, duke lënë Shqipërinë me një lojtar më pak. Në vendin e tij është futur portieri Sherri.
Vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 26-të, Finlanda ka gjetur golin e barazimit me një goditje të lirë, me Sherrin që ka pësuar golin në portën e Shqipërisë.
Shqipëria kishte kaluar në avantazh që në minutën e 4-t. Asllani ka krosuar nga këndorja dhe Manaj ka shënuar pas goditjes me kokë, duke festuar me kuqezinjtë.
Tashmë vendasit kanë barazuar 1-1, ndërsa kuqezinjtë duhet të vijojnë ndeshjen me një lojtar më pak.
Të dyja përfaqësueset synojnë kreun e grupit. Shqipëria e nisi ndeshjen në vendin e parë me 6 pikë, dy më shumë se Finlanda, që ka grumbulluar 4 pikë në dy takimet e para.
Trajneri Rolando Maran ka bërë disa ndryshime në formacionin titullar në krahasim me sfidën e kaluar ndaj San Marinos.
Berisha është rikthyer titullar në vendin e Sherrit. Hysaj ka marrë vendin e Sinës në mbrojtje, ndërsa ky i fundit ka përfunduar në tribunë. Në mesfushë është rikthyer Ramadani, i cili zëvendëson Shehun.
Po ashtu, Pilo është rikthyer në formacion, ndërsa surprizë është ulja në stol e Mehmetit. Uzuni gjithashtu nuk e nis nga minuta e parë, me Hoxhën që ka marrë vendin e tij në formacion.
Në tribunë kanë përfunduar Samuele Sina, Klevi Qefalija dhe Sabah Kerjota. Në dispozicion ndërkohë janë sërish Klisman Cake, Naser Aliji dhe Feta Fetai.

Lini një Përgjigje