Politikë

Prezantohet ‘Pasqyra e Flamingove’, qeveria publikon dokumentet e investimeve në Sazan dhe Zvërnec! Rama: Së shpejti ‘dosja’ e Kayos

Qeveria ka prezantuar “Pasqyrën e Flamingove”, një portal ku synon të publikojë dokumentet zyrtare për projektet më të diskutuara në vend. Aktualisht, në brendësi të tij mund të gjendet dosja e titulluar “Sazani dhe Zvërneci”. Dhjetëra dokumente zyrtare të institucioneve të ndryshme përbëjnë atë që qeveria e quan të vërtetën e projekteve që kanë shkaktuar jo pak debat gjatë 4 muajve të fundit.

“Do t’i shërbejë qytetarëve për të parë jo se çfarë shkruan qeveria, por se çfarë është e shkruar në të gjithë dokumentet zyrtare dhe çfarë thonë të gjitha materialet e një dosjeje qeveritare”, tha Rama.

Veç dokumenteve të shumta që përbëjnë dosjen e “Sazan-Zvërnecit”, në portal mund të gjenden edhe përgjigjet për pyetjet kryesore mbi këto projekte.

“E para, edhe një herë, pyetjet janë produkt i hulumtimit me inteligjencë artificiale të gjithçkaje që diskutohet në rrjetet sociale dhe të gjithçkaje që del në rrjetet sociale edhe nga mediat tradicionale. Pra, nuk janë pyetje të përzgjedhura, janë pyetje të grumbulluara dhe të vendosura në radhë, në një numër shumë të konsiderueshëm”, vijoi Rama.

Vetë Rama tha se dosja e parë është vetëm fillimi. Në ditët në vijim pritet publikimi edhe i dosjeve të tjera që kanë dominuar debatin publik gjatë muajve të fundit, përfshijë Kayo dhe aksin dokumentet për aksin Milot-Balldre.

“Shumë shpejt do të publikojmë dosjen qeveritare të Kayo, një tjetër emër që tanimë përflitet në rrugët e kanaleve sociale dhe në hapësirat e medias televizive. Po ashtu, Milot-Balldreni ka qenë një tjetër temë e cila është diskutuar mbi, sipas nesh, trillime, gjysmë të vërteta, informacione të paverifikuara dhe pastaj, sigurisht, faktet janë vendosur në të gjitha këto raste nën presionin e madh që vjen nga një botë…”, theksoi Rama.

“Pasqyra e Flamingove” është pjesë e një projekti më të gjerë të qeverisë, ku në qendër të tij qëndron transparenca dhe informimi i qytetarëve për projektet publike në vend.

“Pjesë e Pasqyrë Albania-s do të jetë dhe mundësia për të ndjekur në kohë reale çdo projekt qeveritar, çdo projekt publik, çdo vepër publike të financuar nga taksat e qytetarëve dhe po ashtu në pasqyrën e flamingos ka dhe një komponent tjetër që është pyetjet dhe përgjigjet”, vazhdoi Rama.