Nga Boldnews.al
Kryeministrit Edi Rama do i jenë dukur ditët si vite pritjeje, aty në New York. Në vendin e mundësive, atij nuk i dhanë asnjë mundësi që të takonte zyrtarë atje, qofshin edhe fort lokal. Asnjë “amerikan”, me përjashtim të shqiptaro-amerikanëve që qëmtoheshin me lista nën symprehtësinë e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu nuk I zgjati dorën Ramës. A mos kryeminisri hoqi dorë nga lobingjet?
Nuk është as çështje mungese kontaktesh, dhe aq më pak vlerash monetare për të mundësuar takime nën kontrata lobimi apo “marrëveshje skutash”. Këtë sektor kryeministri e njeh fort mirë, por diçka më e madhe se dëshira ka ndodhur me të dhe jo së fundmi, por prej pak muajsh.
Evente të rëndësishme ndërkombëtare drejtues të çdo shteti i shfrytëzojnë për takime mes tyre, interesi i së cilëve mbetet i ndërsjelltë. Në dy eventet e rëndësishme si samiti i NATO-s dhe ai i OKB-së, kryeministri Rama nuk mund të mungonte për asnjë arsye. I shumëdëshiruar për të siguruar ndonjë gjysmë pike në arenën ndërkobëtare, Rama e provoi veten në samitin e NATO-s. Asnjë takim me rëndësi, asnjë shtrëngim duarsh me personalitete të rëndësishme. Edhe ajo shfaqje tërësisht prej kllouni për të bërë figurë me atletet e badha iu kthye pas.
Kërkoi që nëpërmjet dukjes të kapte një copë thelb, por gjeti kohën dhe personin komplet të gabuar. Nevoja qoftë edhe për një shikim nga presidenti amerikan Donald Trump ishte injorim domethnës prej tij dhe me shumë arsye.
Familja Trump, vajza Ivanka dhe dhëndri i tij Jared Kushner, u bënë hore në mediat ndërkombëtare për një investim të mundshëm në kompleksin e madh turistik në Zvërnec, por mbi një pronë të dyshuar e përfituar nga afera në dyshen krim-politikë. Rama bëri pis gjithçka. Këtë padyshim që askush nuk do ia falte.
Projekti tashmë duket i stopuar, por jehona që nxiti edhe protesta të përditshme qytetare që kapërcyen muajin e katërt, ka mbetur ende dhe damka që nuk do i hiqet kurrë është e Ramës, që doli “garant” për investimin nga familja e njeriut më të fuqishëm në botë.
Po ashtu takimin e përvitshëm të OKB-së nuk kishte si ta humbiste. U nis për të lënë shenjë, por u kthey pas me një skandal të madh nën këmbët tona, siç ishte afera e drejtoreshës së SHISH me Ergys Agasin, ky i fundit një personazh pa poste zyrtare por që në të vërteta fuqinë e merrte nga bekimi i vetë Ramës.
Kryeministri u shoqërua në New York nga bashkëshortja Linda, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, bashkë me ca nëpunës. Përfundisht ai u “çmall” me ta, pa shënjuar asnjë takime me rëndësi. Kryeminstri është në atë situatë sa nuk i vlen as shprehja moderne e “Rilindjes” se: “çfarë nuk blihet me para, blihet me më shumë para”. Ka raste kur paraja nuk është gkthçka. Për më shumë që për Ramës tashmë nuk është asgjë!













