Kush duhet të turpërohet?

3 Tetor 2026, 17:40Blog TEMA
Kush duhet të turpërohet?

Nga Klementin Mile

“Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem.”

Eli Fara nuk e mohoi videon, as nuk e justifikoi. Ajo refuzoi vetëm një gjë: turpin.

Për ta kuptuar, duhet pyetur se nga vjen turpi.

Sipas Sartrit, turpi nuk lind nga gjëja që bëjmë, por nga gjëja që na shohin duke bërë.

Kur e shoh veten përmes syrit të tjetrit, pushoj së qeni vetëm njeriu që jam dhe bëhem njeriu që tjetri mendon se pa.

Një video intime e çon këtë mekanizëm në absurd: jo një sy, por mijëra sy, dhe secili me të drejtën e vet të imagjinuar.

Por shikimi nuk mbetet kurrë vetëm shikim.

Fuko do të thoshte se ai kthehet në gjykim.

Nuk është se publiku vetëm sheh; por klasifikon, komenton, dënon.

Dhe gjërat përmbysen padrejtësisht: personit të cenuar i kërkojnë të shpjegohet, ndërsa ata që hynë pa leje në dhomën e tij nuk i shpjegojnë askujt asgjë.

Kjo nuk ndodh rastësisht. Turpi shkon gjithmonë te personi që e ka më të vështirë ta refuzojë.

Termi ‘spektakël’ vjen nga latinishtja spectaculum, nga spectare, ‘të shikosh’. Spektakli, pra, nuk është gjëja që ndodh, por gjëja që shihet.

Hana Arent e kishte kuptuar që kur sfera private shndërrohet në spektakël publik, atëherë humbet dallimi themelor mes çka i përket personit dhe çka i përket botës.

Eli Fara e rivendosi këtë dallim me një fjali të vetme.

Megjithatë, turpi nuk zhduket kur refuzohet. Ai kërkon adresë.

E nëse nuk i përket asaj që u filmua, i bie t’u përkasë atyre që e hapën, që e kërkuan dhe që e dërguan më tej.

Eli Fara nuk e fshiu turpin. Ajo e ktheu mbrapsht.

Lini një Përgjigje