Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e kuqezinjve, pavarësisht humbjes 2-1 ndaj Finlandës në Helsinki.
Ai vlerësoi lojën dhe reagimin e skuadrës pas mbetjes me dhjetë lojtarë, ndërsa kundërshtoi një vendim të arbitrit për një penallti të pretenduar.
“Ishte një penallti shumë e mundshme. Shumë e qartë. Mendoj se Shqipëria sonte meritonte shumë më shumë se rezultati që mori”, deklaroi Maran.
Sipas trajnerit, Shqipëria krijoi më shumë raste dhe zhvilloi një ndeshje të mirë edhe në disavantazh numerik. Ai theksoi se dy golat e pësuar nga goditjet e dënimit përcaktuan rezultatin.
“Është e bujshme të humbësh një ndeshje të tillë. Por të jep më shumë forcë, sepse edhe pse luajtëm me dhjetë, kemi bërë një ndeshje të madhe dhe meritonim absolutisht një rezultat pozitiv”, u shpreh ai.
Maran kërkoi që skuadra të ruajë elementet pozitive të paraqitjes dhe të reagojë menjëherë në takimet e ardhshme. Ai shprehu keqardhje edhe për tifozët që mbështetën Kombëtaren.
“Nëse bëjmë paraqitje të tilla, nuk kemi pse të shqetësohemi. Më vjen keq, e deshëm për tifozët që na ndoqën dhe për ata që e duan Kombëtaren. Duhet të mbajmë gjërat e mira dhe të rinisemi menjëherë”, tha trajneri.
Duke komentuar zëvendësimin e Arbër Hoxhës, Maran sqaroi se vendimi u diktua nga rrethanat e ndeshjes dhe nevoja për të ruajtur ekuilibrin në fushë.
“Në atë moment, këdo që të hiqja do të gaboja, sepse të gjithë po bënin mirë. Kishim nevojë për Rein që mbante topin, Muçi na organizonte lojën. Hoxha nuk e meritoi, por ishte një zgjedhje e diktuar nga ndeshja”, përfundoi Maran.

