Flamuri shqiptar është rikthyer në majën e Korabit, në lartësinë 2,764 metra mbi nivelin e detit, pak ditë pasi simboli shqiptar në këtë pikë ishte hequr dhe ishte zëvendësuar me flamurin e Maqedonisë së Veriut.
Ngjarja e mëparshme shkaktoi reagime në të dyja anët e kufirit, ndërsa heqja e shqiponjës dykrenore nga maja e Korabit u raportua gjerësisht edhe nga mediat maqedonase. Tashmë, në pikën më të lartë të malit, flamuri shqiptar është vendosur sërish, duke rikthyer simbolin që ndodhej aty para incidentit.
Mali i Korabit shtrihet në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe maja e tij, me 2764 metra lartësi, është pika më e lartë e territorit shqiptar. Zona është një destinacion i njohur për alpinistët dhe vizitorët që ngjiten drejt majës.
Rikthimi i flamurit vjen pak ditë pas pamjeve që qarkulluan në rrjetet sociale, ku në vend të simbolit shqiptar në majë ishte vendosur flamuri maqedonas.

