Analiza/ Afrohet fundi i afatit për mbrojtjen e përkohshme, ukrainasit në SHBA përballen me pasiguri

3 Tetor 2026, 18:22Bota TEMA
Analiza/ Afrohet fundi i afatit për mbrojtjen e përkohshme, ukrainasit

Departamenti amerikan i Shtetit ia referoi Radios Evropa e Lirë pyetjet për TPS-në për Ukrainën Departamentit të Sigurisë Kombëtare, i cili nuk komentoi.

Për Hlytenin, debati në Uashington nuk është një çështje abstrakte e politikës së emigracionit.

“Po kontrolloj… llogarinë time të emigracionit në SHBA për të parë nëse ka ndonjë përditësim”, tha ajo. “Gjithçka tani duket se varet nga administrata”.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Hlyten është përfshirë në aktivitetet për mbështetjen e Ukrainës dhe ka punuar vullnetarisht si praktikante për çështjet legjislative në zyrën e një ligjvënësi republikan në Capitol Hill. Për shkak të kësaj pune, miqtë dhe ukrainas të tjerë shpesh i kërkojnë asaj informacion për TPS-në.

Por, ajo ka pak për t’u thënë. “Njerëzit priren të më bëjnë pyetje, sikur ndoshta di diçka më shumë”, tha ajo. “Fatkeqësisht”, shtoi ajo, ende nuk ka udhëzime të qarta se çfarë duhet të bëjnë nëse TPS-ja skadon.

Pasiguria prek shumë më tepër sesa dokumentacionin e emigracionit. Hlyten tha se njerëzit janë të shqetësuar për vendet e punës, sigurimin shëndetësor, kontratat e qirasë dhe çështjet praktike që lidhen me largimin nga SHBA-ja. “Nuk është thjesht të marrësh çantën e shpinës dhe të largohesh”, tha ajo.

Disa ukrainas që ajo njeh tashmë janë larguar, në vend që të rrezikonin të prisnin vendimin. Ajo tha se familjet me fëmijë kanë vendosur të shkojnë në vendet evropiane, ndërsa disa persona që udhëtojnë vetëm janë kthyer në Ukrainë.

Të tjerët mund të mos kenë ku të kthehen. “Ka njerëz që nuk mund të kthehen sepse shtëpitë e tyre janë shkatërruar”, tha Hlyten.

Ajo e konsideron veten me fat, sepse familja e saj është gjallë dhe shtëpia e saj në Kiev ende qëndron.

Por, kjo nuk do të thotë se kthimi do të ishte i sigurt. Familja e saj kaloi pjesën më të madhe të dimrit të kaluar pa energji elektrike, tha ajo, dhe ajo u dërgoi një gjenerator. Jo të gjithë mund ta përballojnë një të tillë.

Grupi i senatorëve po i kërkon administratës së presidentit Donald Trump zgjatjen e TPS-së për Ukrainën, por edhe ripërcaktimin e saj.

Një zgjatje do të ruante mbrojtjen për personat që tashmë mbulohen nga programi. Ripërcaktimi do t’u mundësonte potencialisht ukrainasve që kanë mbërritur pas afatit të përcaktuar për statusin aktual të kualifikohen për TPS.

Në letrën e tyre drejtuar administratës, ligjvënësit thonë se kushtet në Ukrainë nuk janë përmirësuar mjaftueshëm për të justifikuar përfundimin e mbrojtjes. Ata përmendin viktimat civile që vazhdojnë të shkaktohen, dëmtimin e infrastrukturës kritike dhe zhvendosjen e njerëzve, duke thënë se ukrainasit që do të ktheheshin tani mund të përballeshin me kushte të rrezikshme.

Senatorët argumentojnë gjithashtu se TPS-ja ka pasoja ekonomike në Shtetet e Bashkuara. Sipas tyre, përfituesit ukrainas të TPS-së kontribuojnë rreth 2.6 miliardë dollarë në ekonominë amerikane çdo vit, dhe paguajnë rreth 716 milionë dollarë në taksa.

“Përfituesit ukrainas të TPS-së kontribuojnë shumë në komunitetet tona, si në aspektin kulturor, ashtu edhe në atë ekonomik”, thuhet në letër, ku shtohet se “faktet në terren [në Ukrainë] japin një pamje të qartë: kthimi i ukrainasve tani do të rrezikonte t’i kthente ata në kushte kërcënuese për jetën”.

Maryna Baydyuk, presidente e organizatës jofitimprurëse United Help Ukraine, tha se aspektet ekonomike dhe humanitare janë të ndërlidhura.

“Ukrainasit me TPS kanë ndërtuar jetë reale këtu – ata punojnë, paguajnë taksa”, tha Baydyuk për Radion Evropa e Lirë.

Por, ajo paralajmëroi se shumë prej tyre nuk do të kishin ku të ktheheshin në mënyrë të sigurt. “Zgjatja dhe ripërcaktimi i TPS-së nuk është thjesht një vendim politikash – është dallimi mes sigurisë dhe kthimit të familjeve në një zonë aktive lufte”, tha ajo.

Yuriy Boyechko, drejtor ekzekutiv i organizatës humanitare Hope For Ukraine, me seli në Nju Xhersi, e quajti afatin “një garë urgjente me kohën”.

Letra e Senatit u udhëhoq nga demokratja Tammy Duckworth, dhe u nënshkrua nga senatorë të tjerë, përfshirë republikanet Susan Collins dhe Lisa Murkowski.

Edhe republikanë të tjerë, përfshirë përfaqësuesit Brian Fitzpatrick dhe Mike Lawler, kanë mbështetur zgjatjen e TPS-së për ukrainasit.

Mbështetja ndërpartiake është e dukshme, në një kohë kur Kongresi dhe administrata kanë debatuar për përcaktimet e TPS-së për vende të tjera.

“Ky është një qëndrim dypartiak”, tha senatori demokrat Dick Durbin për Radion Evropa e Lirë. “Mendoj se [ukrainasit] duhet të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke iu referuar sulmeve të vazhdueshme me raketa dhe municione nga Rusia. “Nuk ka arsye pse ata duhet të kthehen.”

Senatori demokrat Cory Booker tha gjithashtu se programi duhet të vazhdojë. “Ai duhet të zgjatet, shumë qartë”, tha Booker për Radion Evropa e Lirë. “Të mos bëhej kjo do të ishte mizore. Të mos bëhej kjo do të ishte joamerikane, dhe unë do të bëj gjithçka që mundemi që ky afat të zgjatet”.

Administrata e Trumpit nuk ka bërë të ditur publikisht se çfarë vendimi do të marrë apo kur do ta marrë atë.

Për Hlytenin, pasojat janë personale, por pasiguria është e përbashkët për një komunitet shumë më të madh.

Për momentin, ajo mbetet me të njëjtën pyetje që përballin mijëra ukrainas të tjerë në SHBA: Çfarë ndodh më 19 tetor?

“Askush nuk e di çfarë të bëjë”, tha ajo./REL

Lini një Përgjigje