
Këngëtarja Vesa Smolica ka ndarë një mesazh publik mirënjohjeje dhe mbështetjeje për Klaudia Hilën, bashkëshorten e kompozitorit Adrian Hila, duke kujtuar periudhën kur qëndroi në shtëpinë e familjes së tyre.
Në postimin e saj në Instagram, Smolica rrëfen se ishte vetëm 14 vjeçe kur mori pjesë në spektaklin “Këngët e Shekullit”. Për rreth katër muaj, larg prindërve, ajo jetoi me familjen Hila dhe, sipas saj, Klaudia e trajtoi si vajzën e vet.
Këngëtarja kujton mëngjeset kur e shoqëronte në punë në Teatrin e Kukullave, vaktet në tryezën familjare dhe dhomën që ndante me vajzat e saj, Meryl dhe Ketlin.
“Në një moshë kur kisha më shumë nevojë për siguri, ajo më dha pikërisht atë”, shkruan Vesa.
Në mesazhin e saj, këngëtarja thekson se nuk i ka harruar kujdesin dhe ngrohtësinë që mori gjatë asaj periudhe. Ajo i drejtohet Klaudias me fjalë vlerësimi, duke e cilësuar një grua dhe nënë të fortë.
“Ti ndoshta më kujton ende si vajzën e vogël 14-vjeçare që dikur erdhi në shtëpinë tënde. Por ajo vajzë sot është rritur dhe ende e mban mend me mirënjohje gruan që e bëri të ndihej e sigurt larg shtëpisë”, shprehet Smolica.
Vesa ndalet edhe te vajzat e familjes, duke nënvizuar se ato nuk duhet të përballen me paragjykime apo të mbajnë përgjegjësi për veprimet e të tjerëve.
Postimin e mbyll me një urim për forcë dhe dinjitet, duke i kujtuar Klaudias se kujdesi që ka treguar ndaj saj mbetet i paharruar.
View this post on Instagram

