Dhjetëra mijëra persona kanë dalë të shtunën në rrugët e Madridit dhe qyteteve të tjera të Spanjës, duke kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për krizën e banesave. Sipas “Reuters”, protestat u zhvilluan në rreth 50 qytete, ndërsa në Madrid qeveria spanjolle ka bërë me dije se morën pjesë rreth 70 mijë persona. Protestuesit kërkuan masa për ndalimin e dëbimeve dhe lehtësimin e kostos së banesave.
Protestat u intensifikuan pasi Parlamenti spanjoll rrëzoi të premten dy masa të propozuara nga qeveria për të përballuar krizën. Paketat parashikonin, ndër të tjera, mbrojtje për qiramarrësit vulnerabël nga dëbimet dhe masa për rregullimin e tregut të qirave.
Një nga rastet që ka nxitur zemërimin është dëbimi i një gruaje 87-vjeçare nga shtëpia e saj në Madrid, ku kishte jetuar për më shumë se shtatë dekada. Ngjarja u shndërrua në simbol të protestave kundër rritjes së çmimeve dhe pasigurisë së banesave.
Disa protestues mbanin pankarta ku kërkohej edhe një grevë e përgjithshme. Ndërkohë, në Valencia protesta u shoqërua me përplasje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë turmën. Rreth 30 protestues hynë përkohësisht në kompleksin “City of Arts and Sciences”, përpara se të nxirreshin nga policia.
