Muli shpjegon pse Doktori nuk i do kullat

3 Tetor 2026, 19:10Antena TEMA

Lelo u kap në befasi sot nga deklarata e Doktorit se ai do të mblidhte firma kundër kullës që do të ndërtohet te Tajvani.

Deri më sot nuk kishte ndodhur ky aksion. Fjala vjen, kur u dha leja për kullën “Mali i Tiranës”, e cila në atë kohë ishte më e madhja në Shqipëri, Doktori jo vetëm që nuk shprehu ndonjë shqetësim, por mori në mbrojtje edhe ndërtuesin e kullës nga disa sulme në shtyp.

I shqetësuar, Lelo pyeti Mulin nëse kishte folur Doktori me të për këtë ndryshim.

– Nuk kemi folur, – tha Muli, – por është çështje vizioni. Doktori nuk do që Tirana të zhvillohet kundër vizionit të tij. Kjo është një fyerje edhe për origjinën e tij.

– Po kjo është kulla e 60-të që i jepet leja, – tha Lelo.

– Pikërisht këtu është puna, – i tha Muli. – Doktori është malësor dhe ka lindur në kullë. Madje, është i vetmi politikan që ka një kullë të tijën, të cilën e ka rindërtuar. Por këto kullat e Ramës bëhen për të fyer kullën e Doktorit. Edhe stili i tyre është bërë për të fyer kullën e Doktorit. Kullat duhet të jenë me dritare të vogla, që të shërbejnë si frëngji, dhe duhet të jenë larg njëra-tjetrës një plumb pushke. Kështu është me Kanun. Kjo nga Mali i Tiranës është një plumb pistolete. Kjo është e rrezikshme. Duhet të ruhet distanca.

Edhe unë jam i shqetësuar për këtë çështje. Por unë e kam edhe për anën ekonomike. Duhet të mbarojë një herë Mali i Tiranës, të shitet, pastaj të vazhdohet me të tjerat. Se ndryshe, ata që kanë futur paratë te Mali i Tiranës mund të konkurrohen dhe u rrezikohet investimi. Ka njerëz që kanë futur një milion euro. Nuk mund t’i lëmë njerëzit tanë rrugëve.

– Kështu po, – tha Lelo. – Thashë se kishte gjë edhe me arkitekturën.

– Edhe me atë e ka, – tha Muli. – E kishte bërë si grua me fustan atë kullën, që njerëzit kalojnë poshtë saj. Dhe kjo është perverse nga ana e Ramës. Duket si grua me fustan kur e shikon.

Kullë është ajo e Doktorit në Viçidol. Kalon pragun dhe s’të sheh dot njeri, as ty, as gruan dhe as çfarë bëni aty.

Lini një Përgjigje