Trajneri Rolando Maran nuk e ka bërë dramë humbjen e Shqipërisë në transfertën e vështirë të Finlandës. “Timonieri” i kuqezinjve foli pas takimit, ku u mposht 2-1 në Helsinki.
Ai e tha qartë që rezultati duhet të ishte ndryshe, megjithatë futbolli është gjithmonë i paparashikueshëm. Fokusin e veçantë e pati edhe te arbitri i ndeshjes, ndaj të cilit nuk kurseu kritikat. Në fjalën e tij pas 90-minutave, Maran tha:
“Patjetër që meritonim rezultat pozitiv. E meritonim edhe fitoren, pavarësisht se ishim edhe me 10 lojtarë. Skuadra ka luftuar për të bërë aksione dhe për të bërë diçka. Jemi penalizuar.
Gjykimi? Sigurisht që duhet të përmirësohemi dhe ta rinisim nga fillimi. Na kanë penalizuar disa vendime arbitrare, janë të pashpjegueshme. Falendëroj tifozët që na kanë mbështetur edhe këtu në Finlandë.
Kemi bërë ndeshje shumë të mire. Për zëvendësimin e Hoxhës, ka të bëjë se Manaj na duhej, mund të shfrytëzonim edhe hapësirat e Muçit. Ishim të penalizuar për të bërë ndërrime të tilla, pra zvëndësimi i Hoxhës, pas kartonit të kuq”, tha trajneri i kuqezinjve.
Pas kësaj ndeshje, Shqipëria zbret në vendin e dytë në Ligën C, ndërsa Finlanda katapultohet në vendin e parë. Ndeshjet e radhës të vlefshme për Ligën e Kombeve do të zhvillohen në muajin nëntor.
