Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka folur pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, duke bërë të qartë se për partinë e tij prioritet mbetet miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Hamza tha se PDK është e gatshme të diskutojë për zgjedhjen e presidentit, por fillimisht kërkon që ligji për Specialen të miratohet në Kuvend.
Sipas tij, bisedimet me Kurtin kanë përfunduar, ndërsa palëve u kanë mbetur edhe disa ditë për të arritur një marrëveshje.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit. Pastaj PDK është e gatshme, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë për të gjetur zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, deklaroi Hamza.

