Bota Travel

1,800 turistë japonezë po udhëtojnë në Korenë e Jugut për të parë fishekzjarre që nuk hidhen në qiell/ Tradita shekullore po kthehet në eksperiencë turistike!

Koreja e Jugut po përdor një traditë shumë të vjetër për të tërhequr turistët larg Seulit. Rreth 1,800 vizitorë japonezë pritet të udhëtojnë këtë muaj drejt Andong dhe Haman në ture të organizuara posaçërisht rreth festivaleve tradicionale të zjarrit.

Një prej eksperiencave më të veçanta është Haman Nakhwa Nori. Ndryshe nga fishekzjarret moderne që shpërthejnë lart në qiell, tradita përdor qese të vogla të mbushura me material të djegshëm, të varura në litarë mbi ujë. Kur ndizen, shkëndijat bien gradualisht poshtë si një perde zjarri. Tradita është ruajtur për breza dhe sot është kthyer në një nga spektaklet kulturore më karakteristike të zonës.

Turet janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të Ministrisë së Kulturës, Sportit dhe Turizmit të Koresë së Jugut dhe Korea Tourism Organization për të shpërndarë vizitorët ndërkombëtarë edhe në rajone historike jashtë kryeqytetit. Andong dhe Haman ndodhen rreth 190 deri në 280 kilometra në jug të Seulit.

Strategjia është interesante sepse nuk përpiqet të krijojë një atraksion të ri për turistët. Në vend të kësaj, merr një ritual ekzistues dhe e vendos në qendër të udhëtimit. Për vizitorin, arsyeja për të udhëtuar nuk është vetëm të shohë një qytet tjetër, por të jetë në një vend të caktuar pikërisht në momentin kur zhvillohet tradita.

Është një mënyrë tjetër për të parë suksesin ndërkombëtar të kulturës koreane. Pas muzikës, serialeve, ushqimit dhe beauty-t, edhe ritualet lokale mund të kthehen në arsye për të rezervuar një avion.