Në Londër, kultura koreane nuk do të prezantohet këtë tetor vetëm përmes K-pop-it. Një program njëmujor po bashkon televizionin, letërsinë dhe ushqimin për të treguar një pamje shumë më të gjerë të kulturës bashkëkohore të Koresë së Jugut.
Korean Cultural Centre UK ka prezantuar “Curated Korea 2026”, një seri aktivitetesh që do të zhvillohen gjatë tetorit me screenings, biseda me autorë dhe eksperienca të lidhura me street food-in korean. Programi synon të prezantojë krijuesit dhe idetë që po formojnë kulturën koreane sot.
Formati është interesant sepse nuk i trajton më eksportet kulturore koreane si kategori të ndara. Një person mund të hyjë për shkak të një serie televizive, të zbulojë një shkrimtar dhe më pas të provojë një pjatë që e ka parë më parë vetëm në ekran.
Pikërisht kjo lidhje mes kategorive është bërë një nga forcat më të mëdha të K-culture. Një serial mund të krijojë interes për një lagje në Seul, një produkt ushqimor apo një markë beauty. Muzika mund të çojë drejt modës, ndërsa ushqimi mund të bëhet hyrja e parë drejt një kulture që konsumatori nuk e njihte më parë.
Për Londrën, programi është gjithashtu një shembull se si festivalet kulturore po largohen nga modeli klasik i një ekspozite ose performance të vetme. Në vend të kësaj, krijojnë një univers ku publiku mund të hyjë nga disa drejtime.