Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Korçës. Drejtoresha e një kopshti fëmijësh dhe një mjeke pediatre e spitalit të Korçës po procedohen penalisht pasi akuzohen se kanë tentuar të fshehin helmimin e disa fëmijëve në kopësht.
Gjashtë fëmijë dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në kopësht. Sipas burimeve mësohet se fëmijët janë paraqitur me simptoma gastroenterite ne spital pasditen e djeshme dhe gjatë ditës së sotme (3 tetor).
Burimet kanë konfirmuar se të 6 fëmijët e grupit të dytë ditën e djeshme në drekë kanë konsumuar pilaf.
Procedimi penal për drejtoreshën e kopshtit dhe mjeken, filloi pasi, gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, janë paraqitur në spital 6 fëmijë nga i njëjti kopsht, me simptoma të njëjta gastrointestinale, dhe mjekja nuk ka njoftuar Policinë. Ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Fëmijët e vegjël janë çuar në spital ditën e djeshme pak orë pasi kanë konsumuar drekën për shkak të problemeve shëndetësore që kishin shfaqur, ndërsa kanë qenë prindërit ata që kanë ngritur dyshimet për helmimin e mundshëm të fëmijëve.
Mjekja pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë dhe drejtoresha e kopshtit ku qëndronin fëmijët që ishin paraqitur në spital po procedohen penalisht në gjëndje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës"
Njoftimi
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetaset:
E. X., 57 vjeçe, me detyrë mjeke pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë;
M. K., 60 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e kopshtit ku qëndronin fëmijët që ishin paraqitur në spital.
Procedimi penal filloi pasi, gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, janë paraqitur në spital 6 fëmijë nga i njëjti kopsht, me simptoma të njëjta gastrointestinale, dhe mjekja nuk ka njoftuar Policinë.
Ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.
© SYRI.net