Përfaqësuesi i “Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar”, Ekrem Spahiu, ka bërë thirrje për një aksion më të fortë opozitar ndaj reformës administrativo-territoriale të propozuar nga mazhoranca. Ai ka folur pas tryezës së partive opozitare, të drejtuar nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ku është diskutuar qëndrimi i opozitës ndaj draftit të qeverisë për reformën territoriale.
Sipas tij, LZHK kërkon ndryshimin e numrit të bashkive dhe rikthimin e komunave, zgjedhje me dy raunde për kryetarët e bashkive në rast se asnjë kandidat nuk merr 50%+1 të votave, një prag pjesëmarrjeje prej 50%+1 për vlefshmërinë e zgjedhjeve, si dhe votim e numërim elektronik.
Spahiu është shprehur nëse mazhoranca nuk merr parasysh qëndrimin e opozitës, aksioni opozitar duhet të përshkallëzohet. Ai ka kërkuar që drejtuesit e partive opozitare dhe deputetët të jenë në krye të këtij qëndrimi.
“Boll kanë sakrifikuar mbështetësit tanë. Politika është edhe besim, prandaj vetëm duke u përballur ne në radhë të parë me të keqen që ka pllakosur Shqipërinë, mund të rikthejmë besimin te mbështetësit tanë”, shkruan Spahiu ndër të tjera në facebook.
