Policia greke ka arrestuar në Pire një 27-vjeçar afgan, i kërkuar për përplasjen me armë të 13 shtatorit jashtë një beach bar-i në Anavisos.
Në këtë ngjarje, ku mbetën të plagosur dy persona, dyshohet se ishte përfshirë edhe shqiptari Alket Rizai.
Gjatë operacionit u sekuestrua një armë zjarri, e cila është dërguar për ekspertizë kriminalistike. Analizat pritet të sqarojnë nëse ajo është përdorur gjatë incidentit.
I arrestuari punonte si roje sigurie në lokal. Sipas hetimeve, ai dyshohet se qëlloi në drejtim të një personi gjatë konfliktit të ndodhur në orët e para të mëngjesit.
Pamjet e kamerave të sigurisë e lidhën ngjarjen edhe me Alket Rizain, i cili në atë periudhë ndodhej me leje jashtë burgut të Domokos. Sipas të dhënave hetimore, në pamje ai shfaqej i armatosur dhe duke qëlluar në ajër.
Rizai duhej të rikthehej në burg mëngjesin e 14 shtatorit, por nuk u paraqit dhe u shpall i arratisur. Autoritetet greke kanë angazhuar strukturat policore për gjetjen dhe arrestimin e tij.
Për të njëjtën ngjarje ishin arrestuar më herët pronari 41-vjeçar i lokalit dhe bashkëshortja e tij, 39 vjeçe. Pronari akuzohet, ndër të tjera, për dëshmi të rreme, strehim të një personi të kërkuar dhe pengim të drejtësisë. Bashkëshortja përballet me akuza për dëshmi të rreme dhe shkelje të lidhura me armët.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe rrethanat e përplasjes./Versus.al

