Deputeti i PDK-së, Lushtaku: Kurti të tregojë seriozitet për ligjin e Dhomave të Specializuara, nuk ka kohë për lojëra

3 Tetor 2026 | 20:34

Mërgim Lushtaku, deputet i  Partisë Demokratike të Kosovës, ishte i ftuar në një lidhje live për “Review” me Greta Topjanën në Euronews, teksa komentoi takimin e kryeministrit Albin Kurti me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me nismën për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Ai thase tha se çështja e ndryshimit të ligjit për Dhomat e Specializuara nuk duhet të përdoret për negociata politike, por të kalojë sa më shpejt në Kuvend për votim në dy lexime duke theksuar se koha është e kufizuar.

“Ne kemi pasur një mbledhje të grupit ku kemi diskutuar sa i përket nismës sonë ligjore për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara. Për ne nuk do të duhej të negociohej fare për këtë ligj, pasi besoj se është detyrim për të gjitha partitë politike, shqiptare por edhe jo shqiptare, që ta mbështesin këtë ligj, pasi do të ishte një mbështetje për luftën e pastër të UÇK-së dhe sakrificën e popullit të Kosovës. Nuk e di çfarë kërkon Lëvizja Vetëvendosje dhe nga ana jonë, por edhe nga ana e qytetarëve që po protestojnë. Ne shumë shpejt do të marrim informata të sakta nga kryetari i partisë, Hamza, dhe do të kemi një mbledhje të Kryesisë dhe grupit për të marrë një qëndrim. Ne kemi kërkuar që të ketë një votim, të kalojë ligji në dy lexime për t’u miratuar dhe për të hyrë në fuqi. Nuk kemi pse diskutojmë më tej. Ne kemi kërkesë për seriozitet, përgjegjësi më të lartë shtetërore e morale dhe nuk duam të luajmë me fatin e Kosovës, sepse Kosova dhe lufta e saj po akuzohen dhe dënohen si përmbajtje kriminale. Është e turpshme se çfarë gjykate e ka dhënë këtë vendim, por më e turpshme është edhe neglizhenca e partive politike. Uroj që këtu të mos ketë një lojë, por shoh se Kurti nuk ka interes ta votojë në dy lexime. Sepse nëse nuk e voton në dy lexime, leximi i parë është ai ku ka debate e diskutime, ndërsa mes dy leximeve duhet të votohet një procedurë që e përshpejton procedurën, që të lexohet edhe në leximin e dytë dhe pastaj të shkojë për votim të përshpejtuar, për shkak se kemi pak kohë dhe jemi përballë edhe zgjedhjes së presidentit. Nëse nuk zgjidhet presidenti, Kosova shkon në zgjedhje të reja dhe kjo e rëndon më shumë situatën. Përtej asaj që ne jemi kundërshtarë politikë, përtej asaj që mund të kemi mendime të ndryshme, nëse na bashkon Ushtria Çlirimtare e Kosovës, është koha e veprimit konkret që i ndihmon ish-krerët e UÇK-së, por që ndihmon dhe vetë Kosovën. Për ne është në interes që të largohet një njollë e keqe. Nëse nuk ndërmarrim veprime konkrete, që është me votë dhe të kemi dy lexime të votuara në Kuvend për këtë ligj, atëherë nuk ka seriozitet, por blerje të qetësisë së qytetarëve që po protestojnë”, tha ai.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit, vlerësoi se nuk ka pengesa ligjore për nismën për projekt-ligjin për ndryshimin e plotësimit të ligjit për Dhomat e Specializuara, të kërkuar nga PDK-ja.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Si funksiononte Rydox, tregu ilegal i dy vëllezërve nga Kosova që shiste të dhëna të vjedhura

Një hetim i FBI-së amerikane ka zbardhur mënyrën se si funksiononte Rydox, një treg ilegal në internet ku për vite me radhë shiteshin të dhëna...
16:33 | 29/09/2026

“Nuk kanë prova”, Milori: Është gjykatë famëkeqe. I ka mbajtur 6 vite në paraburgim ish-anëtarët e UÇK-së

Juristja Elta Milori e ftuar këtë të shtunë në emisionin “Review” me Greta Topjanën në Euronews Albania ka folur lidhur me çështjen e ish-krerëve të...
21:26 | 12/09/2026

Lista Serbe ankohet në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e 10-të

Partia kryesore politike e serbëve të Kosovës, Lista Serbe ka njoftuar për ankesën e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me mandatin e fituar nga Nenad...
12:37 | 04/08/2026