Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Ka dy lloje njerëzish: ata që stresohen kur ashensori bën një zhurmë të çuditshme… dhe Elon Musk, që sheh një raketë 120 metra të lartë të ngrihet drejt hapësirës dhe thotë: “Po, do ta provojmë edhe një herë.”
Këtë javë, Starship, raketa gjigante e SpaceX, arriti për herë të parë të futet me sukses në orbitë gjatë fluturimit të saj të 12-të. Pas disa provave të mëparshme me probleme, ky konsiderohet momenti më i rëndësishëm deri tani për projektin. Nuk është thjesht një raketë që u ngrit. Është prova se kompania po afrohet gjithnjë e më shumë me objektivin për të dërguar njerëz në Hënë dhe, një ditë, edhe në Mars.
Për ta kuptuar sa e madhe është e gjithë kjo gjë: fillojmë me faktin që Starship është rreth 120 metra e lartë. Kjo do të thotë se është më e lartë se një pallat 35-katësh dhe më e gjatë se një fushë futbolli e vendosur vertikalisht.
Dhe pse duhet të na interesojë ne kjo gjë? Sepse pothuajse çdo teknologji hapësinore, herët a vonë, zbret në Tokë. GPS-i, interneti satelitor, parashikimi i motit, komunikimet, madje edhe shumë materiale që përdorim çdo ditë kanë lindur nga programet hapësinore. Pra, nuk është vetëm një histori për astronautët. Është një histori për teknologjinë që, pas disa vitesh, përfundon në xhepin tonë.
Nëse gjithçka vazhdon sipas planit, hapi i radhës është edhe më ambicioz: ulje të kontrolluara, misione në Hënë dhe më pas Marsi. Me pak fjalë, ndërsa ne ende debatojmë nëse ia vlen të dalim deri te liqeni në fundjavë, dikush po ndërton autobusin për planetin tjetër.