Kombëtarja e Portugalisë vijon të jetë në qendër të vëmendjes për shkak të situatës me Cristiano Ronaldon. Ylli portugez u largua nga grumbullimi i skuadrës gjatë kësaj jave, ndërsa tema ka vijuar të dominojë diskutimet rreth përfaqësueses.
Në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Norvegjinë, trajneri Jorge Jesus u përball vazhdimisht me pyetje për Ronaldon. Tekniku portugez u përpoq të shmangte diskutimet, ndërsa në një moment situata u ndërpre edhe nga shefi i zyrës së shtypit të kombëtares.
“Cris është një simbol i kombëtares së Portugalisë dhe kjo duhet të jetë e qartë. Pas ndeshjes do të kemi kohë të flasim për këtë. Tani ajo që ka rëndësi është ndeshja me Norvegjinë. Duhet të luajmë mirë përballë publikut tonë dhe me synimin për ta fituar”, deklaroi Jorge Jesus.
Tema e Ronaldos u rikthye në mënyrë të vazhdueshme gjatë konferencës, ku ishin të pranishëm rreth 50 gazetarë.
“Do të përqendrohem te ajo që kam thënë, te skuadra dhe rivali. Norvegjia është një prej pesë skuadrave më të mira në Evropë, me futbollistë të mëdhenj në radhët e saj. Duhet të përqendrohemi te kjo, që është problemi ynë në këtë moment. Pas kësaj do të kemi kohë të analizojmë atë që mund të ndodhë këtu. Duhet të mendojmë për klasifikimin nesër”, u shpreh trajneri.
Jorge Jesus u pyet edhe për pritjen që mund t’i bëjë publiku në stadium, por theksoi se vëmendja duhet të jetë te kombëtarja.
“Afeksioni që kërkoj dhe që do të doja të merrja nuk shkon përtej asaj që simbolizon kombëtarja. Afeksioni është për skuadrën dhe futbollistët, jo për mua. Jam pjesë e një skuadre, jam trajneri i një skuadre. Gjithçka është çështje e mbështetjes që tifozët i japin kombëtares. Shoh për vendin dhe flamurin tim”, tha Jesus.
Në fund, trajneri u pyet drejtpërdrejt nëse kishte komunikuar me Cristiano Ronaldon në telefon.
“A kam folur me Cristianon në telefon? Nuk dua të merrem me asnjë temë përveç kombëtares”, u përgjigj Jorge Jesus.
Në këtë moment ndërhyri shefi i zyrës së shtypit, duke e mbyllur diskutimin dhe duke theksuar se trajneri kishte dhënë tashmë përgjigjen e tij për çështjen Ronaldo.


