Shaqiri i merr edhe miqësoret seriozisht! Lojtari përfundon në spital, Basel në alarm

Xherdan Shaqiri ka përjetuar një mbrëmje të hidhur në miqësoren mes Basel dhe Winterthur, ku skuadra e tij u mposht me rezultatin e thellë 7-3.
Në këtë ndeshje debutoi edhe trajneri i ri i Basel, Slavisa Jokanovic.
Përveç humbjes së rëndë, klubi zviceran mori një tjetër lajm shqetësues.
Kapiteni Xherdan Shaqiri u detyrua të largohej nga fusha në pjesën e dytë pasi pësoi një plagë në dorë, pas një goditjeje gjatë lojës. Sipas raportimeve të mediave zvicerane, futbollisti u dërgua në spital, ku plaga iu qep.
Për momentin, nuk ka ende një vlerësim përfundimtar mbi shkallën e dëmtimit dhe kohën që Shaqiri mund të qëndrojë jashtë fushave. Ekzaminimet e mëtejshme pritet të përcaktojnë nëse dëmtimi do të ndikojë në ndeshjet e ardhshme të kapitenit të Basel.
Në anën tjetër, Winterthur zhvilloi një ndeshje spektakolare dhe fitoi 7-3, duke kryesuar 4-0 që në pjesën e parë. Klubi e përshkroi paraqitjen si një fitore bindëse në miqësoren e zhvilluar në Schützenwiese.
Për Jokanovic, debutimi në stolin e Basel ishte një nisje për t’u harruar, ndërsa shqetësimi kryesor tashmë është gjendja e Shaqirit.




