Juristja Elta Milori shpjegoi në detaje se çfarë parashikon projektligji për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Kosovë dhe çfarë ndikimi mund të ketë ai për personat që janë duke u gjykuar apo janë dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Milori u ndal veçanërisht te një prej risive të projektligjit, që lidhet me kompetencat e presidentit të Kosovës. Sipas saj, nëse projektligji miratohet, presidentit do t’i jepet mundësia që, përmes faljes dhe amnistisë, të përfshijë edhe personat që gjykohen apo janë dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Sot, kur diskutohet ky projektligj, e gjen Kosovën në një varg problematikash dhe në kaos politik. Ky projektligj është shumë optimist sa i përket trajtimit që do t’u bëhet të dënuarve apo njerëzve që janë në procese gjyqësore në Dhomat e Specializuara. Ajo që është e rëndësishme për t’u thënë është që gjatë gjykimit ky projekt nuk ndikon në procedurat e Dhomave të Specializuara, që do të thotë se gjykimi do të vazhdojë në apel. Por i hap dritën jeshile gjykimit të brendshëm në Kosovë, nëpërmjet Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë, e cila ka të drejtën dhe juridiksionin e plotë mbi këto çështje, që vendimet e tyre të shqyrtohen në këtë Gjykatë Supreme, e cila jep verdiktin përfundimtar për Dhomat e Specializuara në Hagë. Dhe ajo që është optimiste është që është parashikuar që dënimi, maksimumi të jetë 15 vite. Nëse do të miratohet ky projektligj, do të llogaritet koha e paraburgimit dhe ata do të quhet se e kanë kryer dënimin. Nëpërmjet këtij projektligji kemi një risi që i jep të drejtën presidentit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet faljes dhe amnistisë, të ketë të drejtë që të falë dhe të amnistojë edhe personat që gjykohen nga Dhomat e Specializuara të Hagës. Dhe të gjitha këto hyjnë në fuqi menjëherë. Janë tre dispozita që hyjnë në fuqi menjëherë. Të gjitha këto dispozita që përshkrova hyjnë në fuqi menjëherë sapo hyn në fuqi ligji, menjëherë ato janë të zbatueshme. Është projekt optimist që, nëse do të gjendet konsensusi në Parlamentin e Kosovës për t’u miratuar dhe më pas të dekretohet, është shumë i mirë si projekt. Është parë dhe proceduralisht, në fakt, se Dhomat e Specializuara kanë të bëjnë me krimet e luftës dhe gjenocidin dhe, duke qenë se kanë objektin e gjykimit të përcaktuar dhe kanë objektin në nivelin e parë dhe të dytë, automatikisht në nivelin e tretë do të gjykojë Gjykata Supreme e Prishtinës. Por niveli i tretë i gjykimit ka qenë gjithmonë kaotik, se është menduar se vendimi i apelit do të jetë i formës së prerë dhe i zbatueshëm. Nëpërmjet këtij ligji, ky vendim ankimohet dhe kalon në Gjykatën Supreme, në nivelin e tretë”, tha juristja.













