Gjashtë dekada negociata, Greqia i dorëzon Bullgarisë eshtrat e Car Samuilit

4 Tetor 2026 | 00:54

Më shumë se 1,000 vjet pas vdekjes së tij dhe pas mbi gjashtë dekadash negociata, eshtrat e Car Samuilit janë kthyer nga Greqia në Bullgari, ku u pritën me nderime shtetërore dhe nga mijëra qytetarë.

Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik.

“Athina po përmbush detyrën e saj historike. Besoj se ka ardhur koha për logjikë, drejtësi dhe etikë”, deklaroi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Rumen Radev shprehu mirënjohjen për kthimin e eshtrave.

“Dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë, i nderuar Kyriakos, për lidershipin tuaj politik, mençurinë dhe guximin”, tha ai.

Dhjetëra bullgarë morën pjesë në përcjelljen e eshtrave nga Selaniku. Pas hyrjes në hapësirën ajrore bullgare, avioni ushtarak “Spartan” u shoqërua nga avionë luftarakë MiG-29 dhe F-16.

Nga aeroporti Vasil Levski në Sofje deri në sheshin “Princi Aleksandër I”, eshtrat u transportuan nga ushtria bullgare. Mijëra qytetarë i pritën me duartrokitje.

Në Sofje, Radev mbajti një fjalim solemn, duke theksuar se Car Samuili kishte kaluar dekada në luftëra për mbrojtjen e identitetit bullgar.

Ceremonia vijoi me interpretimin e himnit kombëtar nga banda përfaqësuese e Gardës dhe me 21 të shtëna nderi.

Më pas u zhvillua një procesion drejt Bazilikës së Shën Sofisë, ku u mbajt shërbesa përkujtimore.

Eshtrat u vendosën përfundimisht në një sarkofag mermeri në kishë. Kështu, më shumë se një mijë vjet pas vdekjes së Car Samuilit, Bazilika e Shën Sofisë në kryeqytetin bullgar u bë vendi i prehjes së tyre.

Car Samuili ishte sundimtar i Perandorisë së Parë Bullgare nga viti 997 deri në vdekjen e tij më 6 tetor 1014. Para se të merrte titullin e carit, ai kishte qenë komandant ushtarak dhe një nga drejtuesit kryesorë të shtetit bullgar.

Sundimi i tij u karakterizua nga luftërat e vazhdueshme kundër Perandorisë Bizantine dhe përpjekjet për të ruajtur pavarësinë e Bullgarisë. Në kulmin e fuqisë së tij, shteti i drejtuar nga Samuili kontrollonte pjesë të mëdha të Ballkanit, ndërsa Ohri ishte një nga qendrat kryesore politike dhe kishtare të perandorisë.

Në vitin 1014, ushtria e tij pësoi një humbje të rëndë kundër forcave të perandorit bizantin Vasili II në betejën e Kleidionit. Samuili vdiq më 6 tetor të atij viti, ndërsa katër vjet më vonë Perandoria e Parë Bullgare ra nën sundimin bizantin.

Në historiografinë dhe kujtesën kombëtare bullgare, Samuili konsiderohet një nga sundimtarët më të njohur të mesjetës dhe simbol i rezistencës ndaj Perandorisë Bizantine.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

500 mijë protestues në Madrid për krizën e banesave

Mijëra persona kanë dalë në protesta në disa qytete të Spanjës kundër krizës së strehimit, një ditë pasi Parlamenti rrëzoi dy dekrete të qeverisë që...
00:32 | 04/10/2026

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë: Mbi 80% e rezervave emergjente të naftës janë tashmë në treg

Më shumë se 80% e rezervave emergjente të naftës të premtuara nga vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) në mars janë tashmë në...
20:46 | 03/10/2026

Mijëra njerëz marshojnë në rrugët e Parisit për të drejtat LGBTQ+

Mijëra njerëz marshuan në rrugët e Parisit në kuadër të Paris Pride, duke kërkuar mbrojtjen e të drejtave të personave LGBTQ+ në një kohë kur...
20:03 | 03/10/2026