Policia e Tiranës ka nisur verifikimet pas një telefonate për të shtëna me armë në fshatin Zbarqe, në Ndroq.
Në Sallën Operative të DVP Tiranë është raportuar se në zonë ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje për të verifikuar situatën.
Gjatë veprimeve të para hetimore dhe kontrollit të zonës, uniformat blu kanë gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu, tip “çifte”, së bashku me municion.
Në kuadër të verifikimit të rrethanave të ngjarjes, në Komisariat janë shoqëruar katër shtetas, të cilët do të merren në pyetje lidhur me rastin.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave në të cilat janë dëgjuar të shtënat.


