Në Greqi, Kreta po përballet me pasojat e një vale të fuqishme moti të keq, që prej katër ditësh po vijon me reshje intensive, përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturë e bujqësi.
Situata mbetet veçanërisht e vështirë në zonat malore të ishullit, ndërsa autoritetet dhe ekipet e emergjencave vijojnë ndërhyrjet për përballimin e pasojave.
Në Zonianá, rreth 30 persona u evakuuan nga banesat, për shkak të sasive të mëdha të ujit në zonë. Probleme të mëdha edhe në furnizimin me ujë të pijshëm.
Rreth 2,500 banorë në Zonianá, Livádia dhe Krána kanë mbetur pa ujë, pasi një pjesë e rrjetit të ujësjellësit është dëmtuar.
Gjendje kritike në zonën malore të Mylopotamos, ku mekanizmat shtetërorë vijojnë në gatishmëri.
Një nga pjesët më të goditura është Rrafshnalta e Lasithit, ku prodhuesit bujqësorë përballen me dëme të mëdha.
Sipas vlerësimeve të para, dëmet në prodhimin e patateve dhe perimeve tejkalojnë 80%. Pamjet nga ajri kanë treguar përmasat e përmbytjeve, me sipërfaqe të mëdha bujqësore dhe rrugë të mbuluara nga uji.
Probleme serioze edhe në Amari, ku bashkë me sasitë e mëdha të ujit nga zonat malore kanë zbritur shkëmbinj e materiale të tjera, duke dëmtuar rrugët dhe vështirësuar qarkullimin. Situata të ngjashme janë raportuar në Anogia e në zonat përreth.
Një nga të dhënat më të pazakonta lidhet me reshjet në zonën e Grykës së Samarisë.
Referuar matjeve të stacioneve meteorologjike, nga mëngjesi i së premtes deri pasditen e së shtunës u regjistruan deri në 420 milimetra reshje brenda 42 orëve.
Sipas Observatorit Kombëtar të Athinës, kjo sasi është e krahasueshme me reshjet mesatare që regjistrohen në Athinë gjatë një viti të plotë.
Ndërkohë, tetë punonjës mbetën të bllokuar në Grykën e Samarisë dhe ekipet e shpëtimit iu shkuan në ndihmë.
Në zonën e Profiti Ilia-s, në Heraklion, janë raportuar dëme të konsiderueshme, përfshirë në blegtorinë e zonës.
Të prekura rëndë janë edhe rrugët rurale, rrjetet e ujitjes e të furnizimit të prodhuesve, si dhe vreshtat.
Aktiviteti i vreshtarisë pësoi goditje të fortë dhe vlerësimi i plotë i dëmeve ende është në proces.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë monitorimin e situatës në të gjithë ishullin, ndërsa pritet që kushtet e motit të ndryshojnë pasdite.