Aksion në Vlorë, policia shton kontrollet, në fokus makinat me xhama të zinj

Policia e Vlorës ka shtuar kontrollet në disa prej akseve kryesore të qytetit, në kuadër të masave për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme gjatë fundjavës.
Mbrëmjen e së shtunës, një prej pikave të kontrollit është ngritur në rrethrrotullimin e Transballkanikes, ku efektivët kanë ndaluar automjete të ndryshme që qarkullonin në këtë aks.
Gjatë kontrolleve janë verifikuar dokumentacioni i mjeteve, drejtuesit dhe personat që ndodheshin brenda automjeteve. Në fokus kanë qenë veçanërisht automjetet me xhama të zinj.
Efektivët kanë kryer gjithashtu verifikime për identifikimin e personave të shpallur në kërkim dhe kontrollin për raste të mundshme të armëmbajtjes pa leje.
Kontrollet janë shtrirë edhe në pika të tjera të qytetit, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e shkeljeve të ligjit, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë orëve të mbrëmjes.
Policia pritet të vijojë kontrollet e shtuara edhe në ditët në vijim, veçanërisht në akset me qarkullim të lartë dhe në zonat ku mund të evidentohen raste të shkeljes së ligjit.




