Dhjetëra mijëra qytetarë kanë marshuar të shtunën në rrugët e Madridit, duke protestuar kundër rritjes së çmimeve të banesave dhe duke kërkuar masa më të forta për ta bërë strehimin më të përballueshëm.
Protestuesit kërkuan gjithashtu mbrojtje më të madhe ligjore për qiramarrësit, në një kohë kur kriza e strehimit është kthyer në një nga shqetësimet kryesore sociale në Spanjë.
Gjatë marshimit, demonstruesit mbanin pankarta me mesazhe proteste, brohorisnin slogane dhe tundnin çelësat e banesave të tyre. Disa prej tyre kërkuan edhe organizimin e një greve të përgjithshme për shkak të përkeqësimit të situatës së strehimit.
Protesta u zhvillua vetëm një ditë pasi ligjvënësit spanjollë rrëzuan një paketë masash urgjente që synonte të adresonte rritjen e kostove të banesave dhe vështirësitë në përballimin e tyre nga qytetarët.
Pakënaqësia publike është rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit, veçanërisht pas dëbimit nga banesa të 87-vjeçares María del Carmen Abascal në Madrid. Rasti shkaktoi reagime të forta dhe u pasua nga ngritja e një kampi protestuesish në sheshin qendror “Puerta del Sol”.
Kriza e strehimit është kthyer kështu në një çështje gjithnjë e më të debatueshme në Spanjë, ndërsa protestuesit kërkojnë ndërhyrje më të forta nga autoritetet për të frenuar rritjen e kostove dhe për të garantuar aksesin në banesa të përballueshme.


