Finalizohet një tjetër fazë e operacionit policor të koduar “FAST”, në kuadër të të cilit është lokalizuar dhe arrestuar në Tiranë një person i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Shërbimet Operacionale të Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, kanë lokalizuar në zonën e Saukut dhe arrestuar me qëllim ekstradimi shtetasin Ornado Çeta alias Ceta, 40 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Apelit të Triestes, në Itali, e ka dënuar Çetën me 21 vjet, 9 muaj e 20 ditë burgim për disa vepra të rënda penale.
Ai është dënuar për veprat penale “Vjedhje të rënda”, “Mashtrim”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Posedim të pasurisë me origjinë kriminale”, “Plagosje”, “Kanosje” dhe “Kundërshtim ndaj punonjësve të policisë”.
Nga dënimi i dhënë nga autoritetet italiane, shtetasit Ornado Çeta i kanë mbetur për të vuajtur edhe 20 vjet, 6 muaj e 14 ditë burgim.
Pas arrestimit, procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë kanë nisur. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për përfundimin e procedurave të nevojshme për transferimin e të kërkuarit pranë autoriteteve italiane.
Operacioni “FAST” vijon si pjesë e bashkëpunimit të strukturave shqiptare me autoritetet ndërkombëtare për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim nga drejtësia e vendeve të tjera.


