Një tjetër rast i dyshuar i tentativës për shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë së shkollave është goditur nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Perimetri”.
Gjatë operacionit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, arrestuan në flagrancë shtetasin Xh. M., 26 vjeç, banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën 26-vjeçarit dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Po gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi edhe një mjet prerës, thikë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se i riu e kishte siguruar lëndën narkotike dhe e kishte ndarë në doza me qëllim shitjen dhe shpërndarjen e saj në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë edhe pranë perimetrit të sigurisë së shkollave.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
#Tiranë #Policia #Perimetri #Narkotikë #Kokainë #Shkolla #Arrestim


