Aktualitet

Ndezi zjarr dhe dogji ullishte, arrestohet 33-vjeçari në Mallakastër!

Një 33-vjeçar u arrestua në flagrancë nga Policia e Mallakastrës, i dyshuar se ndezi zjarr për të djegur mbeturina në tokën e tij, por flakët u përhapën në sipërfaqe të tjera për shkak të erës së fortë. Ngjarja u regjistrua në fshatin Mollaj. Në pranga ra D.K., 33 vjeç, banues në Ballsh.

Janë shkaktuar dëme në sipërfaqe të mbjella me ullinj, ndërsa zjarri ka përfshirë edhe çatinë e një banese. Për shuarjen e flakëve u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër dhe ato zjarrfikëse, që arritën të lokalizojnë dhe shuajnë vatrat e zjarrit.

Sipas autoriteteve, nuk pati persona të lënduar.

33-vjeçari është arrestuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Në vijim të ngjarjes, Policia Fier u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, veçanërisht në periudhat kur era favorizon përhapjen e shpejtë të flakëve.

Policia u bën thirrje në mënyrë të veçantë banorëve që të mos djegin mbetjet bujqësore apo të pastrojnë tokat përmes djegies, pasi një veprim i tillë mund të çojë në përhapje të pakontrolluar të zjarreve.