
Një urdhër për vendosjen e sekuestros konservative është regjistruar për shoqërinë AlbChrome, duke kufizuar veprimet që lidhen me shitjen dhe tjetërsimin e kuotave/aksioneve të përmendura në të.
Sipas ekstraktit historik të Qendrës Kombëtare të Biznesit, urdhri për vendosjen e sekuestros konservative ndaj AlbChrome është lëshuar nga Zyra Vendore Përmbarimore Tiranë dhe është depozituar në regjistrin tregtar më 9 korrik 2026.
Masa parashikon sekuestro mbi kuotat/aksionet e zotëruara nga pala debitore dhe kërkon të mos kryhen shërbime për shitjen apo tjetërsimin e tyre.
Edhe më parë objekt procedurash përmbarimore
Historiku tregtar tregon se AlbChrome është përballur edhe me masa të mëparshme. Në vitin 2016 u regjistrua një sekuestro konservative në lidhje me detyrime të papaguara ndaj KESH-it. Më pas u urdhërua lirimi i aksioneve të bllokuara nga ajo masë.
Një tjetër sekuestro u vendos më 21 tetor 2025, mbi aktivet e kompanisë dhe të drejtat që rridhnin prej tyre.
Kjo masë u hoq me urdhër të 29 tetorit, ndërsa zhbllokimi u regjistrua më 3 nëntor 2025.
AlbChrome ushtron aktivitet në nxjerrjen dhe përpunimin e kromit, si dhe në prodhimin e ferrokromit, me struktura në Bulqizë, Klos, Burrel dhe Elbasan.
Pas blerjes në janar 2022, kompania u përfshi në Yılmaden Holding, pjesë e grupit turk YILDIRIM./Versus.al

