AKTUALITET /

Drejtori i Portit të Durrësit njofton pushimin e hetimeve ndaj tij: Përballë një mali me shpifje, zgjodha të hesht

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Aliu tha se ishte njoftuar nga avokati për vendimin, i cili, sipas tij, është marrë më 11 shtator dhe është dhënë më 2 tetor.

Shkruar nga Versus

Drejtori i Portit të Durrësit njofton pushimin e hetimeve ndaj tij:

Drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu, ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale e Kosovës ka pushuar hetimet ndaj tij, të cilat lidheshin me periudhën kur drejtonte Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Aliu tha se ishte njoftuar nga avokati për vendimin, i cili, sipas tij, është marrë më 11 shtator dhe është dhënë më 2 tetor.

Ai deklaroi se procesi hetimor kishte nisur dy vite më parë dhe se, krahas punës së tij si ministër, ishte hetuar edhe pasuria e tij dhe e familjes, si dhe të ardhurat ndër vite. Aliu theksoi se këto të ardhura i kishte deklaruar vazhdimisht që prej vitit 2011.

“Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin, ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve, edhe pse për mua ka qenë gjithmonë i pritshëm”, shkroi ai.

Hetimet lidheshin me borxhet e kompanive të ambalazhimit të ujit ndaj shtetit të Kosovës.

Sipas dyshimeve të prokurorisë, gjatë kohës kur Aliu drejtonte ministrinë ishin lejuar veprime që kishin çuar në uljen e detyrimeve të disa operatorëve ekonomikë, duke i shkaktuar buxhetit një dëm prej miliona eurosh.

Në kuadër të kësaj çështjeje, Aliu ishte marrë në pyetje për rreth katër orë në gusht, në cilësinë e të dyshuarit. Ai i kishte mohuar pretendimet, duke këmbëngulur se kishte vepruar në përputhje me ligjin.

Në reagimin e tij, drejtori i Portit të Durrësit falënderoi personat që i kishin besuar dhe tha se ishte i gatshëm të përballej me të vërtetën.

“Mbase mund të vazhdoj të sulmohem sërish kudo me shpifje të shumta, ashtu siç ka ndodhur më herët. Në botën në të cilën lajmi i rremë përhapet me lehtësi, unë jam i gatshëm që të përballem me të vërtetën”, u shpreh Aliu.

Ai e mbajti detyrën e ministrit deri në gusht 2025, kur dha dorëheqjen, ndërsa më pas u emërua drejtor i Portit të Durrësit.

Reagimi i Liburn Aliut:

Mirëmëngjes të dashur qytetarë,

Kam marrë lajmin e mirë nga avokati im për vendimin për pushimin e hetimeve nga Prokuroria Speciale ndaj meje. Ky vendim është marrë më 11 shtator dhe është dhënë mëngjesin e së premtes, më 2 tetor.

Ky proces hetimor ka filluar para dy vitesh dhe përgjatë tërë kohës është përcjellë me spekulime të shumta mediatike. Përpos punës sime si ministër, është hetuar edhe pasuria ime dhe e gjithë familjes time, të hyrat përgjatë viteve, të cilat kanë qenë po ashtu të deklaruara që nga fillimi i vitit 2011, në vazhdimësi deri më sot, edhe tani që kam marrë detyrën e re.

Që nga fillimi i hetimeve jam sulmuar nga të gjitha drejtimet me shpifje dhe ofendime nga më të rëndat, të cilat më janë drejtuar mua, familjes time dhe idealit kombëtar që kam bërë përpjekje në jetë ta zbatoj me modesti.

Përballë një mali me shpifje, unë zgjodha të hesht dhe mirëprita hetimin, ashtu siç sot e mirëpres këtë vendim për pushimin e hetimeve, edhe pse për mua ka qenë gjithmonë i pritshëm.

Mbase mund të vazhdoj të sulmohem sërish kudo me shpifje të shumta, ashtu siç ka ndodhur më herët. Në botën në të cilën lajmi i rremë përhapet me lehtësi, unë jam i gatshëm që të përballem me të vërtetën.

I falenderoj të gjithë ata që më besuan./Versus.al

 

Poll