Një 38-vjeçar nga Durrësi është arrestuar në Tiranë pasi u kap duke qarkulluar me automjet, i armatosur me armë zjarri dhe me municion luftarak.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurma”, të finalizuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje.
Operacioni u organizua bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative. Gjatë veprimeve policore, shërbimet konstatuan dhe ndaluan në rrugën “Perlat Rexhepi” automjetin me drejtues shtetasin D. K., 38 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të automjetit, në çantën marsup të 38-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë. Ndërkohë, poshtë sediljes së drejtuesit të automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 23 fishekë.
Në përfundim të veprimeve, D. K. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Arma e zjarrit dhe municioni u sekuestruan nga Policia në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


