
Një shtetas polak është arrestuar në Krujë, pasi dyshohet se ka kryer të paktën tre vjedhje në hotele dhe lokale gjatë javës së fundit.
27-vjeçari, i cili lëvizte me biçikletë në qytet, dyshohet se ka marrë para, një celular dhe sende të tjera, ndërsa policia sekuestroi biçikletën dhe sendet e dyshuara si të vjedhura.
Njoftimi i policisë:
KRUJË/Finalizohet operacioni policor “Çiklisti”, zbardhen 3 raste vjedhjeje.
Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, shtetas polak.
Në vijim të punës hetimore të kryer menjëherë pas kallëzimeve të administruara për vjedhje të pronës/pasurisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë kapën dhe vunë në pranga shtetasin e huaj T. F., 27 vjeç, banues në Angli.
Nga veprimet hetimore rezulton se 27-vjeçari, i cili lëvizte me biçikletë gjatë javës së fundit në qytetin e Krujës, dyshohet se ka kryer 3 vjedhje në hotele dhe lokale, ku ka marrë shuma parash, një aparat celular dhe sende të tjera.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, aparatin celular, një shumë parash, si dhe biçikletën që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Punohet për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që mund të ketë kryer ky shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”./Versus.al

