Një 60-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle është arrestuar në Fier, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Forcat e Policisë kanë lokalizuar dhe kapur në fshatin Bishan shtetasin M. T., 60 vjeç, ndaj të cilit Gjykata e Madridit në Spanjë kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Sipas autoriteteve spanjolle, 60-vjeçari dyshohet se është pjesë e një organizate kriminale të specializuar në trafikimin e lëndëve narkotike. Ai akuzohet gjithashtu në Spanjë për veprën penale të “Vjedhjes së energjisë elektrike”.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, M. T. u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Spanjës, ku do të përballet me drejtësinë e këtij vendi.
Ndërkohë, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin për vijimin dhe finalizimin e procedurave të dorëzimit të 60-vjeçarit te autoritetet spanjolle.


