127 ditë protesta kundër Ramës/ Media spanjolle: Kryeministri përballet me presionin e korrupsionit dhe revoltën në rrugë

127 ditë protesta kundër Ramës/ Media spanjolle: Kryeministri përballet me presionin e korrupsionit dhe revoltën në rrugë

13:18, 04/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një analizë e publikuar në median spanjolle The Objective e vendos Shqipërinë në qendër të vëmendjes përballë një situate politike gjithnjë e më të tensionuar: protesta të pandërprera kundër qeverisë, hetime për korrupsion dhe një debat gjithnjë e më i fortë mbi mënyrën se si funksionon pushteti në vend.

Sipas medias spanjolle, në Tiranë kanë vijuar për 127 ditë rresht protestat kundër Edi Ramës, ndërsa demonstruesit e akuzojnë qeverinë për korrupsion, përqendrim të pushtetit dhe lidhje të forta mes politikës, biznesit dhe strukturave kriminale.

Protestuesit kanë përdorur në ditët e fundit edhe thirrje të forta kundër kryeministrit, duke kërkuar dorëheqjen e tij dhe përgjegjësi për zyrtarët e lartë të përfshirë në hetime.

Në fokus është edhe ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, e cila, sipas artikullit, ndodhet në arrest shtëpie në kuadër të një hetimi për rrjedhje informacioni të klasifikuar.

Por përtej emrave konkretë, ajo që bie në sy është fakti se hetimet e strukturave të posaçme kanë prekur gjithnjë e më shumë nivelet e larta të administratës dhe politikës shqiptare.

Dhe kjo është pikërisht një nga arsyet përse beteja politike në Shqipëri nuk zhvillohet më vetëm në Parlament apo në zgjedhje, por edhe në rrugë.

“Shqipëria po bën thirrje për revolucion”

ImageArtikulli i medias spanjolle i kushton vëmendje të veçantë klimës së protestave.

“Shqipëria po bën thirrje për revolucion”, është një nga sloganet që citohen në shkrim.

Protestuesit e kanë cilësuar qeverisjen e Ramës si një sistem të korruptuar dhe kanë përdorur prej muajsh termin “narkoshtet”, duke akuzuar qeverinë për lidhje me krimin e organizuar dhe për favorizimin e interesave të caktuara ekonomike.

Një nga elementët që artikulli veçon është edhe transformimi urban i Tiranës, ku ndërtimi i kullave dhe projekteve të mëdha është kthyer në një prej simboleve të debatit politik mbi origjinën e parave dhe mënyrën se si zhvillohet ekonomia shqiptare.

Kritikët e qeverisë pretendojnë se pas bumit të ndërtimit dhe turizmit fshihet edhe një ekonomi informale që kërkon të pastrojë kapitalet përmes investimeve të mëdha.

Rama, aleati i Sánchezit në Ballkan

Një pjesë e rëndësishme e shkrimit i kushtohet edhe marrëdhënies së ngushtë mes Edi Ramës dhe kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez.

Media spanjolle kujton mbështetjen publike që Rama i dha Sánchezit gjatë periudhës kur kryeministri spanjoll u përball me presion politik dhe me çështje që lidhnin bashkëshorten e tij, Begoña Gómez.

“Mos u dorëzoni kurrë”, kishte shkruar Rama në mbështetje të homologut të tij spanjoll.


 

Nga ana tjetër, Sánchez ka vlerësuar publikisht vullnetin reformues të Ramës, ndërsa marrëdhënia mes dy qeverive është përshkruar si shumë e mirë.

Sipas The Objective, dy liderët janë takuar të paktën shtatë herë gjatë gjashtë viteve të fundit.

Kjo marrëdhënie merr një rëndësi të veçantë edhe në kontekstin e ambicies së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

ImageShqipëria në udhëkryq

Rama vazhdon të paraqitet në arenën ndërkombëtare si një lider që e ka vendosur Shqipërinë në rrugën e integrimit evropian. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri priti në Tiranë Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Por paralelisht me këtë imazh ndërkombëtar, në vend vijon një realitet tjetër politik: protestat, hetimet dhe akuzat për korrupsion që prekin gjithnjë e më shumë nivelet e larta të pushtetit.

Kjo është edhe kontradikta që nxjerr në pah analiza e medias spanjolle.

Ndërsa Shqipëria prezantohet si një vend me rritje ekonomike, turizëm në zhvillim dhe ambicie për t'u anëtarësuar në BE deri në vitin 2030.

Nga ana tjetër, në rrugët e Tiranës protestuesit vazhdojnë të kërkojnë largimin e qeverisë dhe denoncojnë atë që e konsiderojnë një sistem të kapur nga korrupsioni dhe krimi.

127 ditë protesta janë tashmë një fakt politik që nuk mund të injorohet. Dhe pyetja që shtrohet është nëse Edi Rama do të arrijë ta ruajë këtë nivel kontrolli politik deri në përfundimin e mandatit, apo nëse presioni nga rruga dhe hetimet e drejtësisë do të prodhojnë një krizë të re politike në Shqipëri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco