Zjarr i madh ka përfshirë masivin pyjor me pisha në zonën e Caushit, në Gjinar të Elbasanit ku bëhet me dije se flakët janë riaktivizuar dhe po avancojnë drejt Pashtreshit. Ndërsa thuhet se janë djegur rreth 10 hektarë sipërfaqe pyjore.
Burimet bëjnë me dije se zjarri është aktivizuar në një reliev malor, mbi 1400 metra lartësi, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar pjesën më të madhe të zonës, siç mund ta shikoni dhe në videot e mbërritura na redaksinë e newsbomb.al.
Vatra e parë e zjarrit, dyshohet të jetë shkaktuar nga nga rrufeja gjatë ditëve të fundit, ndërsa situata është rënduar gjatë natës, kur flakët “kapërcyen” malin dhe prekën masivin pyjor të Pashtreshit.
Në vendngjarje kanë dalë dhjetëra forca zjarrfikëse, punonjës të Bashkisë Elbasan, shërbimeve publike, banorët e zonës dhe efektivë të ushtrisë të cilët po punojë për normalizim të situatës. Bëhet me dije se mjetet zjarrfikëse nuk mund të afrohen në disa prej vatrave, ndaj ekipet po ndërhyjnë në këmbë dhe me mjete të përshtatura për terren malor.
Pavarësisht ndërhyrjes së vazhdueshme, zjarri siç mund ta shikoni dhe në pamje ende nuk është izoluar plotësisht.
