Aktualitet

Flakët i dolën jashtë kontrollit, humb jetën 76-vjeçari në Greshicë të Fierit!

Po digjte mbeturina në ullishte, flakët i dalin jashtë kontrollit, humb jetën 76-vjeçari në Greshicë të Fierit. Për shkak të erës, flakët u përhapën me shpejtësi duke përfshirë edhe sipërfaqen e mbjellë me ullinj. Autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes, si edhe shkaqet e vdekjes së të moshuarit.

Një zjarr i përmasave të mëdha ra sot edhe në kodrat me ullishta në zonën e Mërgliçit, në Patos, te Ish-Menza 3.

Flakët po përhapen me shpejtësi për shkak të erës, ndërsa vetë banorët kanë dalë në terren për të frenuar avancimin e zjarrit. Në vendngjarje shkuan edhe automjetet dhe ekipet e shërbimit zjarrfikës për të vënë situatën nën kontroll.

Zjarri në malin e Bukanikut, në Gjinar të Elbasanit vijon aktiv, pavarësisht punës gjatë gjithë natës për ta vënë nën kontroll.

Në terren veç forcave zjarrfikëse, po ndihmon edhe një helikopter nga ajri për shuarjen e flakëve.

Sipas kryebashkiakut, Gledian Llatja, era e fortë, bimësia e dendur dhe terreni malor, i vështirë për t’u aksesuar, kanë favorizuar përhapjen e flakëve dhe po e bëjnë ndërhyrjen më të vështirë.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, parashikohet që në vijim, herë pas here të shfaqen vranësira. Më të dendura janë në skajin verilindor të Shqipërisë.

Megjithatë, nuk priten reshje. Ky stabilitet i atmosferës do të na shoqërojë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit vijojnë të rriten, duke u luhatur 7°C vlera më e ulët e shënuar në qarkun e Dibrës e deri në 28°C ajo maksimale në rang vendi.