Policia e Krujës ka zbardhur tre raste vjedhjeje të ndodhura gjatë javës së fundit në qytet, duke vënë në pranga një 27-vjeçar me shtetësi polake, i dyshuar si autor i tyre.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Çiklisti”, është arrestuar shtetasi i huaj T. F., 27 vjeç, me shtetësi polake dhe banues në Angli.
Sipas Policisë, i riu lëvizte me biçikletë në qytetin e Krujës dhe dyshohet se gjatë ditëve të fundit ka vjedhur në tre hotele dhe lokale. Në këto raste, ai dyshohet se ka marrë shuma parash, një aparat celular dhe sende të tjera.
Pas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, 27-vjeçari është lokalizuar dhe më pas është arrestuar.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një aparat celular, një shumë parash dhe biçikletën që dyshohet se përdorej nga i riu për lëvizje pas kryerjes së vjedhjeve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


